E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Berisha vjell helm kundër Shqipërisë, më shumë se grekët e serbët
Lajme

Berisha vjell helm kundër Shqipërisë, më shumë se grekët e serbët

Kreshnik Spahiu: Turp historik!

Juristi Kreshnik Spahiu e ka cilësuar si një akt të turpshëm fjalimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku atij iu ndërpre edhe mikrofoni.

Spahiu tha se Berisha ka tejkaluar çdo kufi politik dhe institucional, duke sulmuar shtetin shqiptar në një forum ndërkombëtar, diçka që sipas tij nuk e bën asnjë lider europian, pavarësisht se është në pushtet apo në opozitë.

Ai theksoi se ndjek prej vitesh seancat kryesore të Këshillit të Europës, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian, dhe se nuk ka hasur kurrë një rast të ngjashëm, ku një politikan të denigrojë vendin e vet në atë mënyrë. Sipas Spahiut, fjalimi i Berishës hyn si precedent negativ në historinë e parlamentarizmit europian.

“Nuk ekziston asnjë shembull i një lideri serb, grek, rus apo nga ndonjë vend tjetër, që në forume ndërkombëtare të hedhë akuza të tilla ndaj shtetit shqiptar. Askush nuk del të thotë se Shqipëria është narkoshtet apo se shqiptarët janë kartele droge. Këto janë akuza që i dëgjojmë vetëm nga një politikan shqiptar,” u shpreh Spahiu.

Ai shtoi se kritika politike ka vendin e saj brenda institucioneve të vendit, në Kuvend apo në protesta, por është e papranueshme që një person i pandehur për korrupsion të përdorë skena ndërkombëtare për të sulmuar shtetin e tij.

Spahiu nënvizoi se fakti që Berishës iu ndërpre mikrofoni dhe përkthimi pas pak më shumë se një minute fjalim tregon qartë se qëndrimi i tij ishte i papranueshëm edhe për organizatorët e forumit.

“Nuk e kaloi as dy minuta dhe iu hoq mikrofoni. Çdokush do të ndihej keq në atë situatë. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, por kjo nuk e bën më pak të rëndë,” përfundoi Spahiu.

“Unë jam ndjekës i seancave më kryesore që zhvillohen në Këshillin Europian, Komisionin Europian dhe Bashkimin Europian, për shkak të kuriozitetit që kam për seancat ndërkombëtare. Po ju them një gjë me bindje, fjalimi i Sali Berishës është një turp i vërtetë, edhe për atë podium por edhe për politikën shiptare. Kjo hyn në historinë e parlamentarizmit, nuk gjen lider europian, në pushtet apo në opozitë, që të hedhë helm kundër shtetit të tij. Nuk ka asnjë fjalim të një politikani serb, grek, rus, që në një forum ndërkombëtar, të hedhë akuza për shtetin shqiptar. Pyetja është shumë e thjeshtë, si ka mundësi që nuk ka asnjë lider të huaj, që të thotë për Shqipërinë narkoshtet, të thotë që shqiptarët janë si kolumbianë, janë kartelet më kryesore të kokainës, heroinës në Europë apo në planet.

Dëgjojini fjalimet e liderëve europiane opozitarë se çfarë thonë për shtetin e tyre. Unë e pranoj që të thotë çdo gjë Sali Berisha në Kuvendin e Shqipërisë, në protestat që ai organizon, po si ka mundësi, një njeri i pandehur, shkoi dhe akuzoi shtetin e vet në forumet ndërkombëtare. Një i pandehur për korrupsion, bredh lirshëm dhe flet kështu për Shqipërinë. Pas 79 sekondash, i hiqet mikrofoni dhe i thuhet nuk ke më përkthim. Nuk e kalon dy minuta, realisht që çdokush ndjehet keq, nuk është hera e parë që Berisha e bën këtë”, tha Spahiu në emisionin “Frontline”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.