E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Besnik Mustafaj: MOSKA E SHEH BALLKANIN SI ZONË TË INFLUENCËS SË VET, SHQIPTARËT E PENGOJNË
Uncategorized

Besnik Mustafaj: MOSKA E SHEH BALLKANIN SI ZONË TË INFLUENCËS SË VET, SHQIPTARËT E PENGOJNË

Ish-kryediplomati shqiptar dhe njëri nga themeluesit e Partisë Demokratike (PD) në Shqipëri, Besnik Mustafaj thotë se shqiptarët në Ballkan vazhdojnë të mbeten një digë që mbron vlerat perëndimore nga ndikimet e lindjes. Ai ka qenë ambasador i Shqipërisë në Francë, ndërsa si shkrimtar ka të botuara disa vepra.
Në një intervistë ekskluzive për Klubin e Debatit Politik (KDP), ai flet edhe për rastin “Saimir Tahiri”, për të cilin thotë se mund t’i kushtojë shtrenjtë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Poashtu, Mustafaj flet për ndikimin Rus dhe Turk në Ballkan, për marrëdhëniet Kosovë-Serbi si dhe për pozitën e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

KDP: Z. Mustafaj, si e shikoni rastin “Saimir Tahiri”, si përpjekje për tu përballur me krimin e organizuar apo si “mbushje kupe”?
BESNIK MUSTAFAJ: Rasti “Saimir Tahiri” nxori në pah sa thellë ka penetruar krimi i organizuar në strukturat e larta drejtuese të shtetit shqiptar. Në fakt, ky rast nuk mund të merret as si shembull i përpjekjeve të institucioneve të shtetit për t’u përballur me krimin e organizuar dhe as si “mbushje kupe” nga ana e Tahirit. Ky ish- ministër i brendshëm dhe deputet me fuqi të veçantë brenda Partisë Socialiste, thjesht i mbeti në duar si drejtësisë ashtu edhe politikës sonë. Siç mbarë opinioni publik shqiptar e di tashmë, çështja e tij “u importua nga Italia”. Drejtësia italiane dërgoi në prokurorinë shqiptare një kërkesë për ekstradimin e disa prestarëve të një rrjeti shumë të rrezikshëm kriminal, të cilët veprimtarinë e tyre e kishin zhvilluar në Itali. Në mbështetje të kërkesës kishte një dosje prej më shumë se një mijë faqesh me biseda telefonike të përgjuara. Në to dilte disa herë emri i Saimir Tahirit si kapo i tyre.

KDP: Në fakt, si ka për t’u reflektuar kjo në skenën politike shqiptare dhe përpjekjet për të aderuar në BE?
BESNIK MUSTAFAJ: Ky mund të ishte fillimi i një spastrimi të madh dhe shumë të dobishëm të skenës politike shqiptare nga tantakulat kanceroze të krimit të organizuar. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë ndikimi në proceset integruese të Shqipërisë në BE do të ishte jashtëzakonisht pozitiv. Por nuk shoh shumë shpresë se do të ndodhë. Janë gjithnjë e më të shumtë në Shqipëri ata që mendojnë se shteti ynë është i kapur nga krimi. Unë ju thashë së “çështja Tahiri” i mbeti në dorë drejtësisë, ia prishi asaj rehatinë. Prokuroria jonë me siguri që e mallkon prokurorinë italiane të antimafias pse ia la në dorë atë dosje me përgjime. Pra, nuk ka një vullnet të vërtetë nga drejtësia jonë për ta shndërruar këtë rast në fillim të një spastrimi rrënjësor të skenës politike nga kthetrat e krimit të organizuar. Aq më pak ekziston një vullnet i tillë te vetë politikanët e shumicës qeverisëse. Mënyra si Saimir Tahirin po e mbron personalisht kryeministri Rama i ngjan më shumë një vetëmbrojtjeje nga ana e tij. Të bashkuar në këtë mungesë vullneti për të bërë detyrën, drejtësia dhe politika do të mbështeten te njëra – tjetra për të gjetur një modus vivendi që t’i japin Tahirit një dackë të vogël dhe ta hedhin lumin. Rrjedhimisht, ndikimi në proceset integruese në BE do të jetë shumë i dëmshëm. Mrekullia do të ishte sikur të ndodhte e kundërta. Por e kam kaluar moshën të besoj te mrekullitë.

KDP: Zyrtarë të lartë, diplomatë rusë, jo një herë kanë theksuar se integrimi evropian nuk duhet të jetë alternativë e vetme e Ballkanit Perëndimor! Cili është mendimi juaj?
BESNIK MUSTAFAJ: Ka më shumë se dy shekuj, qysh nga lufta ruso – turke, që Moska e sheh Ballkanin Perëndimor në tërësi apo pjesërisht si zonë të influencës së vet. Për këtë qëllim edhe ka investuar pareshtur. Kjo do të thotë se përpjekjet e sotme të politikës dhe të diplomacisë ruse për ta tërhequr drejt vetes këtë pjesë të Evropës janë brenda logjikës historike dhe interesave aktuale të Moskës. Pengesa më e madhe ndaj kësaj strategjie janë shqiptarët. Pavarësisht shtrirjes së tyre në disa shtete, pavarësisht grindjeve politike midis vetes, shqiptarët e kanë të përbashkët dhe të palëkundur aspiratën euroatlantike. Ky është një kontribut i çmuar që ne shqiptarët japim për ruajtjen e perspektivës perëndimore në rajonin tonë.

Unë do të doja që partitë e përfshira në koalicionin qeveritar e posaçërisht BDI, të luanin rolin që u takon për një shpërndarje më të drejtë të buxhetit të republikës, në mënyrë që edhe komunat shqiptare të merrnin atë që u takon.
KDP: Ka vlerësime se Rusia e Turqia po mundohen që përmes Sërbisë të nxjerrin krye në Ballkan! Për t’u besuar apo ?
BESNIK MUSTAFAJ: Këto përpjekje nuk janë dhe aq të fshehta. Pra, është për t’u besuar. Rusia po e furnizon haptas Serbinë edhe me pajisje të kushtueshme luftarake për ushtrinë, pajisje që e largojnë edhe praktikisht perspektivën e integrimit të ushtrisë serbe në NATO dhe e vënë atë në varësi të industrisë ushtarakë ruse. Nga ana tjetër, Serbia ende nuk ka hequr dorë të paktën publikisht nga objektivi për integrim në BE. Nëse ky integrim do të ndodhte, do të kishim për herë të parë një paradoks, kur një shtet, që bashkëpunon ushtarakisht me Rusinë, është anëtar i BE. Në një kohë që BE flet gjithnjë e më fort për ndërtimin e një politike të përbashkët mbrojtëse, bashkë me strukturat e nevojshme ushtarake, prania e Serbisë në atë familje do të ishte shumë problematike. Kam shpresë se vendet udhëheqëse të BE nuk do e lejojnë njëparadoks të tillë. Ne tani po shohim një afrim të madh ruso – turk. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e këtyre dy vendeve. Përbashkuesi kryesor midis Moskës dhe Ankarasë është fryma kundër euroatlantizmit. Në Rusi kjo frymë është e vjetër, në Turqi është ngjallur dhe po ushqehet me zell të madh nga Erdogani. Pikërisht kjo frymë i afroi këto dy vende edhe me Serbinë. Nuk shoh një koordinim të vërtetë ruso – turk për sa i përket shtrirjes së tyre në Serbi. Secila nga këto dy vende vepron për hesap të vet dhe me mjetet e veta. Pra, nuk shoh përvijimin e ndonjë aleance ruso – turke – sërbe kundër botës perëndimore.Por rezultati në fund është gjithsesi i përbashkët dhe ushqen rrymat tradicionale antiperëndimore të shoqërisë serbe dhe veçanërisht nacionalizmin. Kësisoj, përdorimi i Serbisë si trampolinë qoftë nga Rusia e qoftë nga Turqia është në dëm të gjithë rajonit tonë. Në Bruksel dhe në Uashington flitet gjithnjë e më me shqetësim për këtë realitet tëri.

KDP: Bosnja, Kosova konfliktet edhe në ish-republikat jugosllave që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë, në gjykimin Tuaj, i përkasin të kaluarës, apo tendencat nacionaliste mund të rishpërfaqen?
BESNIK MUSTAFAJ: Rreziku rishfaqjes së dalldisë nacionaliste në Ballkanin Perëndimor nuk është kurrë zero. Aq më tepër në Bosnje apo në Kosovë, ku ndërhyrja serbe në punët e brendshme është edhe më e drejtpërdrejt dhe shumë aktive. Serbia është përgjegjëse për tragjeditë që ka shkaktuar në këto dy vende dhe nuk ka kërkuar ende falje as sa për të larë gojën. Ky fakt është me ndikim turbullues në ndërgjegjen e shoqërisë jo serbe si në Bosnje edhe në Kosovë. Unë do të thosha se shqiptarët e Kosovës po tregojnë një vetëpërmbajtje dhe një vullnet shumë të fortë për të parë përpara, duke arkivuar të kaluarën.

KDP: Këto tendenca e ndihmojnë apo pengojnë rrumbullakimin e pavarësisë së Kosovës?
BESNIK MUSTAFAJ: Unë do të thosha se ky realitet e vështirëson dhe e ngadalëson përmbylljen e procesit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Përpjekjet e Serbisë për ta penguar këtë proces janë konkrete dhe të përditshme. Ata jo vetëm ndërhyjnë me të gjitha mënyrat për ta penguar njohjen e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur ende, por bëjnë presion edhe mbi ato vende,që e kishin njohur tashmë. Ditët e fundit Ivica Daçiç shpërndau me gëzim të madhe lajmin se shteti i Surinamit kishte anuluar njohjen e Republikës së Kosovës. Por në asamblenë e përgjithshme të OKB – së, Surinami dhe SHBA kanë nga një votë secili. Po ashtu pengimi që Serbia arriti t’i bëjë vitin e kaluar anëtarësimit të Kosovës në UNESKO, në Beograd u festua si fitore e madhe. Këta janë vetëm dy shembuj ndër të shumtët që mund të silleshin e që tregojnë se diplomacia dhe politika sërbe sillet ndaj Kosovës me një ndjenjë hakmarrëse, cilësi kjo që e ka nacionalizmi primitiv.

KDP: Në Maqedoni të dielën u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Çfarë është gjykimi juaj për zhvillimet në Maqedoni dhe perspektivën e saj ?
BESNIK MUSTAFAJ: Sipas raportit të vëzhguesve ndërkombëtar, këto zgjedhje në të dy raundet u zhvilluan pa tensione të mëdha dhe kjo është një shenjë e mirë për imazhin e Maqedonisë. Po mendoj posaçërisht për forcat politike shqiptare, të cilat shpesh, në rrethana të tilla, janë mbytur në një pikë ujë. Tani ata që morën drejtimin e pushtetit vendor në komunat me shumicë shqiptare kanë përpara sfidën për të kapërcyer prapambetjen zhvillimore, që ka në këto komuna krahasuar me komunat e tjera me shumicë etnike e jo shqiptare. Me një analizë të ftohtë do pranuar se faktori politik shqiptar në Maqedoni është sot me ndikim më të madh se kurrë në jetën institucionale të kësaj republike. Unë do të doja që partitë e përfshira në koalicionin qeveritar e posaçërisht BDI, të luanin rolin që u takon për një shpërndarje më të drejtë të buxhetit të republikës, në mënyrë që edhe komunat shqiptare të merrnin atë që u takon. Një shpërndarje e tillë e investimeve ka ndikim në kohezionin e shoqërisë së këtij vendi, pra, është edhe në interesin e maqedonasve, te cilët duhet ta dinë se një vend i polarizuar etnitikisht është gjithë kohën nën kërcënimin e shpërbërjes. Por partitë shqiptare në qeverisje kanë për detyrë historike të ndikojnë edhe për fuqizimin e perspektivën euroatlanike të kësaj republike, duke iu kundravënë çdo përpjekjeje që do e çonte Maqedoninë në drejtime të tjera përveç Brukselit dhe Uashingtonit./KDP

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.