E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Beteja për vëllanë siamez të demokracisë
OP-ED

Beteja për vëllanë siamez të demokracisë

 

-Në vend të një ndjese për pamundësinë e pjesëmarrjes në protestën e sotme.

A nuk po dallohet gjithnjë më qartë nga beteja për Teatrin që halli i gangut qeverisës nuk qenkësh vetëm rrënimi i kompleksit historik ku ndodhen sot dy ndërtesat e teatrove? As vetëm tjetërsimi i pronës publike? Nga teknika e mbrapshtë që po përdoret ndaj njerëzve të Teatrit si dhe ndaj publikut – nga njëra anë kulaçi dhe nga tjetra kërbaçi – po kuptohet vullneti për të vënë nën kontroll, madje mundësisht nën komandë, Teatrin.

Përse vallë kështu?

Sepse Teatri është vëllai siamez i demokracisë. Dhe një agresion ndaj demokracisë nuk mund të mos përthyhet automatikisht në goditje ndaj Teatrit. Në historinë e qytetërimit europian Teatri lindi pikërisht në të njëjtën hapësirë dhe të njëjtat rrethana, në Greqinë e lashtë, ku lindën edhe e shumta e shkencave që ende i trashëgojmë e i zhvillojmë, ashtu si edhe vetë demokracia. Aq të ndërthurur ishin motër e vëlla ose vëlla e motër, sa shpesh qenë të njëjtat turma prej 4.000 vetash që, nga njëra anë, dyndeshin në amfiteatrot e  hapura dhe reagonin gjithë ashk ndaj tragjedive a komedive, ndërsa nga ana tjetër rrëmbushnin sheshet duke bërtitur për të vendosur luftën ose paqen.

Kur ajo demokraci e drejtpërdrejtë – e tillë sikundër qe atëherë – mori teposhtën afërmendsh që vëllai saj siamez reagoi i pari ndaj sinjaleve të lëngatës, d.m.th. Teatri. Kush sheh sot komeditë e Aristofanit mund të arsyetojë vetë se çfarë simptomash duhet të kishte përkapur komediografi provokator nga ajo dekadencë demokracie në Qytetin e vet. Ishte epoka kur bëhej fjalë për qytete-shtetet.

Ju ka qëlluar, për shembull, ta njihni Kukurecaxhiun e Aristofanit? Jo? “Kukurecaxhi” ia pati përkthyer profesionin Spiro Çomora. Me gojët e dy personazheve bënte satirë me të  Aristofani në skenën e hapur të Teatrit. Nuk e kam librin për duarsh këtu ku ndodhem, por më ka qëlluar ta shoh në disa skena dhe e mbaj mend dialogun politik, kur pikërisht Kukurecaxhiut i mbushnin mendjen për ta zgjedhur si qeveritar të Qytetit pakashumë si vijon:

-Si mund të qeveris unë kur nuk jam veçse një kukurecaxhi i thjeshtë?

-Pikërisht prandaj, ngaqë nuk ke asnjë vlerë tjetër përveçse të qenit kukurecaxhi, je më i përshtatshmi për të qeverisur.

-Mirëpo unë s’kam bërë studime për këtë punë, nuk ia kam idenë, di vetëm diçka me të dëgjuar.

-Ja, pikërisht prandaj, meqë i di gjërat si diçka me të dëgjuar, je më i përshtatshmi për të qeverisur Qytetin tonë.  Për të qeverisur nuk duhen njerëz me shkollë për atë punë, duhen persona që të jenë hem injorantë, hem batakçinj.

-Tani, për të më pëlqyer, ky propozim po më pëlqen dhe mua, vetëm se nuk e di saktësisht se si bëhet kjo, qeverisja, që thoni ju.

-S’ka gjë më të lehtë, është tamam zanati yt. Do të bësh po atë punë që ke bërë.

-Po si kështu?

-A je kukurecaxhi ti apo jo?

-Po.

-A i ke thikat në brez?

-Po

-A i grin të përbrendshmet ti? A i hedh në një kazan të madh? I përzien mirë e mirë? A u hedh edhe ca beharna, erëza, sa për lezet?

-Po.

-Ja ashtu si kazani yt është edhe Qyteti ynë dhe njësoj si matarimi i kukurecit është edhe qeverisja.

Etj.

Duke lënë m’anësh Aristofanin, asgjë për t’u habitur që kukurecaxhinjtë, si së lashti si në kohët moderne, meqë Teatri i pengon për ta bërë shtetin si kukurecin e nxjerrin marazin ndaj tij në teknika nga më të mbrapshtat: për ta vënë atë nën kontroll, mundësisht edhe nën komandë. Afërmendsh që, me ndryshimin e epokave, kanë ndryshuar edhe mjetet te vendi i thikave në brez. Hashtag.al

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.