E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bie lehtë numri i viktimave nga Covid në Shqipëri. VOA: Pozitiviteti zbriti në 13.7 %
Publik News

Bie lehtë numri i viktimave nga Covid në Shqipëri. VOA: Pozitiviteti zbriti në 13.7 %

Në Shqipëri numri i viktimave nga koronavirusi regjistroi një rënie gjatë javës së fundit (5 – 11 tetor), e para që prej fundit të muajit korrik. Të dhënat zyrtare, të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në total bëhet fjalë për 59 persona të cilët kanë humbur jetën. E mërkura e kaluar shënoi dhe ditën me më shumë vdekje, 12 të tilla, ndërsa në 24 orët e fundit, u regjistruan 9 viktima të tjera: 1 qytetar nga Durrësi 46 vjeç, 1 qytetar nga Mirdita 48 vjeç, 2 qytetarë nga Tirana të moshave 58 dhe 78 vjeç, 2 qytetarë nga Vlora 66 dhe 80 vjeç, 1 qytetar nga Saranda 69 vjeç, 1 qytetar nga Korça 73 vjeç dhe 1 qytetar nga Kruja 82 vjeç.

Dhe gjendja në spitalet Covid, përfshirë dhe numrin e atyre që trajtohen në terapi intensive ka ardhur duke u përmirësuar. Deri të hënën pasdite, sipas të dhënave zyrtare, kishte 161 pacientë, nga të cilët 15 ishin në gjendje të rëndë. Të hënën e një jave më parë ka pasur 20 pacientë më shumë, ndërsa në terapi intensive po trajtoheshin 38 qytetarë.

Për të tretën javë radhazi, rastet e reja po ashtu, shënuan rënie, duke zbritur në 3162 të infektuar rishtazi, ose 17.1 përqind më pak se sa në javën pararendëse (28 shtator – 4 tetor). Niveli më i ulët ishte në 24 orët e fundit, me vetëm 195 raste në 25 nga 61 bashkitë që ka vendi: 109 në Tiranë, 10 në Fier, 7 në Durrës, Kamëz, Vlorë, Berat, 6 në Lushnjë, Mallakastër, 5 në Kukës, 4 në Lezhë, Kurbin, Krujë, Peqin, 3 në Gjirokastër, 2 në Përmet, 1 në Shkodër, Mirditë, Kavajë, Bulqizë, Delvinë, Finiq, Tepelenë, Skrapar, Poliçan, Gramsh.

Edhe pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) zbriti në nivelin 13.7 përqind, nga 15.2 që ishte një javë më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Tendenca e një situate në përmirësim vihet re dhe në rënien progresive të rasteve ende aktive, 6.952 në të gjithë vendin nga 8.655 që ishin në javën pararendëse. Mbi 44 përqind e tyre janë vetëm në Tiranë, ndërkohë që në qarqet e tjera numri është poshtë kuotës së 1 mijë rasteve aktive.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.