Biznesi i dedektivëve privatë shqiptarë: Nga tradhtitë te spiunazhi industrial
Filmi thriller Sherlock Holmes ka mbërthyer në ekran ndër vite shikues, të pasionuar pas situatave të zbulimit të informacioneve të fshehta, intrigave dhe mashtrimeve.Nuk e kishim menduar që investiguesi të ishte një profesion i mirëfilltë.
Divorce-hetimPak rëndësi ka nëse frymëzimi u ka ardhur nga serialet e spiunazhit apo nga përpjekja për të bërë para.
Detektivi privat shqiptar, tashmë është profesion i licencuar, i mbështetur në një vendim gjykate dhe i paguar mirë. Por, për çfarë i punësojnë shqiptarët detektivët privatë?
Gjëja e parë që bie në sy në takimin me Shkënda Lilin janë sytë vëzhgues dhe hetues. Këto aftësi, tregon ajo, të lindura dhe të ushqyera nga pasioni për këtë profesion, e kanë bërë që të shndërrohet në detektiven e parë femër në Shqipëri. E konsideron profesion me kohë të plotë, si dhe ka themeluar një agjenci të mirëfilltë investigimi. Detektivi për Shkëndën do të jetë profesioni i së ardhmes dhe i kërkuar po aq sa avokati. Shqipëria, një vend i vogël, por njëkohësisht edhe i madh sa u përket problemeve, sipas saj, do të mësohet më shumë me konceptin e detektivit privat.
Kërkesat, të nisura edhe tani, në fusha të ndryshme, parashikohen të shtohen. Tradhtitë bashkëshortore, divorcet “pa fajtor”, vjedhjet e pazbuluara, mashtrimet në fushën e biznesit dhe spiunazhet, zbulim gjurmuesi dhe përgjuesi, e deri te vrasjet e pazgjidhura dhe njerëz të humbur ndër vite: të gjitha këto janë çështje që detektivët e parë në Shqipëri kanë nisur të marrin. Por, jo të gjithë dalin zbuluar dhe pjesa më e madhe e tyre punojnë në kushtet e anonimatit dhe si punë sekondare. Detektivët shkelin shpesh në “zona të minuara”, investojnë kohë dhe kanë kosto të larta, megjithatë, sipas burimeve të kontaktuara, paguhen shumë mirë. Të zbulosh në rast se partneri apo partnerja ju tradhton, çështje e cila po kërkohet më tepër këto kohë, kushton “veçse” 1500 euro.
Investiguesi privat si profesion ka lindur para 150 vjetësh, agjencia e parë është hapur në Francë në vitin 1833. Ndërsa në Shqipëri, në vitin 2015, Qendra Kombëtare e Licencimit e ka pranuar ngritjen e një Instituti të Detektivit Privat, i cili formon dhe licencon detektivë. Ndonëse ende nuk është miratuar një ligj që rregullon këtë profesion, aktualisht ai konsiderohet si profesion i lirë dhe mbështetet në ligjin që përfshin këto profesione. Në Shqipëri, periudha e gjatë e tranzicionit ka sjellë probleme të mëdha, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Ndryshe nga detektivët e policisë ose hetuesve të skenave të krimit, detektivët privatë në Shqipëri zakonisht punojnë për qytetarët apo bizneset, e jo për qeverinë.
Investiguesit dërgojnë në destinacionin e duhur dokumente të ndryshme ligjore, duke i njoftuar njerëzit të ndjekin në kohë procedurat ligjore, me qëllim shmangien e penalizimeve. Investiguesit profesionistë punojnë me dhe për avokatët, bankat tregtare, agjencitë përmbarimore, fondacionet, bizneset etj. Në botë, pothuajse gjysma e numrit të detektivëve punojnë në agjenci ose më vete, si të vetëpunësuar, ndërsa pjesa tjetër është e punësuar në kompani private. Ata janë të specializuar në hetime bashkëshortore, në gjurmim statik dhe në lëvizje, hetime financiare, mungesën ose zhdukjen e personave, hetime ligjore dhe penale, hetime të aksidenteve rrugore, të zjarrvënieve me dashje, të vrasjeve të pazbuluara etj.
Pjesa më e madhe e detektivëve marrin formim profesional dhe kanë pasur përvojë pune si punonjës policie. Por, nga ana tjetër, edhe njohuritë juridike rreth ligjit e procedurave ligjore, sistemeve kompjuterike dhe atyre të përgjimit janë elemente të rëndësishme të njohurive, që duhet të ketë një detektiv. Shoqata e Detektivëve Shqiptarë tregon se një pjesë e madhe e “studentëve” që marrin këtë profesion janë punonjës të policisë ose juristë, që u duhen si specializim më vete, por janë të shumtë që e kryejnë edhe si “arsimim profesional” që ta ushtrojnë si profesion primar./Panorama
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



