E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Biznesi” që mund drogën: mbi 100 mln € të grabitura nga Call Center-at
Ekonomi

“Biznesi” që mund drogën: mbi 100 mln € të grabitura nga Call Center-at

Skemat e mashtrimit përmes call center-ave po shfaqen si një nga aktivitetet më fitimprurëse kriminale në Shqipëri, me dëme që kapin shifra rekord në vetëm pak muaj.

Sipas të dhënave nga hetimet e fundit, mbi 100 milionë euro dyshohet se u janë marrë qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian përmes skemave të sofistikuara të mashtrimit, të operuara nga struktura call center-ash të zbuluara në Tiranë gjatë tre muajve të fundit.

Autoritetet kanë ndërmarrë një seri operacionesh të njëpasnjëshme për goditjen e këtij fenomeni. Në total, janë zhvilluar 8 aksione, që kanë çuar në arrestimin e më shumë se 30 personave dhe procedimin penal të mbi 90 të tjerëve.

Pjesa më e madhe e operacioneve është realizuar nga strukturat e Policisë së Tiranës, ndërsa dy prej tyre janë zhvilluar në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare si SPAK, Eurojust dhe Europol, duke theksuar përmasën ndërkufitare të aktivitetit kriminal.

Sipas burimeve hetimore, skema e mashtrimit bazohej në manipulimin e viktimave përmes telefonatave dhe platformave online, ku qytetarët e huaj bindeshin të investonin në projekte fiktive ose të transferonin para në llogari të kontrolluara nga rrjeti kriminal. Pasojat financiare për viktimat kanë qenë të konsiderueshme.

Gjatë operacioneve, janë sekuestruar shuma të mëdha parash, si dhe mbi 300 pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë dhe telefona celularë, që dyshohet se përdoreshin për menaxhimin dhe realizimin e mashtrimeve.

Shifrat tregojnë një rritje të ndjeshme të goditjeve ndaj këtij fenomeni. Vetëm në periudhën prill, maj dhe qershor, si dhe në dy javët e para të korrikut 2026, janë goditur 8 call center-a, një numër i barabartë me të gjithë operacionet e zhvilluara gjatë vitit 2025. Ndërkohë, në tre muajt e parë të këtij viti nuk ishte regjistruar asnjë ndërhyrje e tillë.

Në dosjet hetimore evidentohet se këto rrjete funksiononin me strukturë të organizuar, ndarje të qarta rolesh dhe hierarki të mirëpërcaktuar, duke operuar në mënyrë të ngjashme me biznese të ligjshme. Kjo organizim u ka mundësuar atyre të realizojnë mashtrime ndërkombëtare në shkallë të gjerë dhe për një kohë të gjatë pa u zbuluar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.