E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Goditet Call Center-i në Shkodër, 4 të arrestuar, 61 të tjerë në hetim
Lajme

Goditet Call Center-i në Shkodër, 4 të arrestuar, 61 të tjerë në hetim

Një operacion i gjerë policor i koduar “Network” është finalizuar në qytetin e Shkodrës, ku autoritetet kanë zbuluar dhe goditur një call center të dyshuar për ushtrim të mashtrimit kompjuterik në lagjen “Vasil Shanto”.

Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me strukturat qendrore të Policisë së Shtetit, pas një hetimi disa-javor të ndjekur me metoda proaktive dhe në koordinim me Prokurorinë e Shkodrës.

Si rezultat i ndërhyrjes, në pranga përfunduan katër persona të dyshuar si organizatorë të aktivitetit kriminal: Fabian Popaj, Lisenko Muçaj, Basri Nikshiqi dhe Nikolin Biba. Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se drejtonin dhe koordinonin funksionimin e skemës së mashtrimit, duke menaxhuar grupet e punonjësve brenda subjektit.

Gjatë operacionit, policia kapi në flagrancë 61 punonjës në ambientet e call center-it, të cilët u proceduan penalisht në gjendje të lirë për përfshirje të mundshme në aktivitetin e paligjshëm.

Kontrollet e ushtruara në ambientet e subjektit çuan në sekuestrimin e 152 pajisjeve elektronike, përfshirë kompjuterë, laptopë dhe mjete të tjera që dyshohet se përdoreshin për realizimin e mashtrimit. Gjithashtu, u sekuestrua një shumë parash dhe materiale të tjera që pritet të ndihmojnë në thellimin e hetimeve.

Sipas burimeve zyrtare, kjo veprimtari dyshohet të ketë qenë e organizuar dhe e strukturuar, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të skemës, identifikimin e viktimave dhe përcaktimin e dëmit financiar të shkaktuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.

Njoftimi i plotë i policisë;

Zbulohet në lagjen “Vasil Shanto”, një call center ku dyshohet se kryhej mashtrim kompjuterik.

Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie.

Procedohen penalisht 61 punonjës, të cilët u kapën në flagrancë gjatë ndërhyrjes së Policisë, në call center.

Sekuestrohen 152 pajisje elektronike, nëpërmjet të cilave dyshohet se kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në funksion të një procedimi penal, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Network”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-F. P., 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, administrator i subjektit;
-L. M., 43 vjeç, B. N., 41 vjeç dhe N. B., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas organizonin veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik në këtë subjekt dhe drejtonin grupet e punonjësve.

Gjatë operacionit, në ambientet e subjektit u kapën në flagrancë, gjatë ushtrimit të aktivitetit, 61 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit të ambienteve u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 152 pajisje elektronike (kompjuterë, laptopë dhe pajisje të tjera të përdorura për ushtrimin e veprimtarisë), një shumë parash, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.