Biznesmeni Elman Abule paraqitet në SPAK për hetimet ndaj Veliajt
Biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ai do të merret në pyetje si person në dijeni në lidhje me hetimet ndaj që SPAK po kryen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ndërkohë, kryebashkiaku Erion Veliaj u paraqit më 26 Dhjetor në SPAK, ku qëndroi për mbi 5 orë për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimin e nisur nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado lidhur me çështjen në fjalë.
Përmes një komunikate për mediat, SPAK bëri me dije se nga kallëzimi i bërë ndaj Veliajt ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur me këtë çështje. Më konkretisht, për veprat penale:
- “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,
- “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”,
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
- “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
SPAK ka indicie se Erion Veliaj dhe të afërmit e tij janë implikuar në skemat e përfitimit të parave në rrjetin e kompanive që ka në pronësi biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule.
Mëngjesin e 6 Dhjetorit, agjentët e BKH-së me urdhër të SPAK, sekuestruan telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ushtruan kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj. Gjithashtu, u kontrolluan edhe një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, biznesin e tij “Gogel Shpk” dhe kompaninë “Rametal Shpk”, në pronësi të biznesmenit Elman Abule.
Më 23 Dhjetor u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje mbi hetimet në fjalë dhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ku ka dëshmuar për rreth 3 orë para agjentëve të BKH-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


