Biznesmeni i 800 mijë eurove “rrëfehet” për patentat e Tahirit
Zbardhet dëshmia e biznesmenit që u ndalua nga policia e Elbasanit më 1 nëntor, pasi nuk iu bind urdhrit të efektivëve.
Policia e Elbasanit nuk publikoi arrestimin e Orest Sotës, në makinën e të cilit u gjetën 800 mijë euro dhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Edhe pse çështja u referua në Prokurori, blutë e Elbasanit u treguan të kujdesshme për të mos e raportuar këtë ngjarje për mediat. Por burime pranë policisë tregojnë detaje nga arrestimi i 25-vjeçarit, djali i një biznesmeni të rëndësishëm në fushën e ndërtimit.
Një patrullë policie i ka bërë shenjë për ndalim automjetit me të cilin udhëtonte 25-vjeçari Orest Sota. Ai nuk ka ndaluar, por ka vazhduar lëvizjen duke bërë që policia të vihet në ndjekje të tij. Pasi ka përshkruar disa rrugë të qytetit të Elbasanit, i riu ka hyrë bashkë me makinën në ambientet e kompanisë “Kurum”.
Policia ka shkuar menjëherë pas tij dhe ka kryer arrestimin në flagrancë të Sotës, ndërsa ka ushtruar kontroll në automjetin e tij.
Vetë i ndaluari rezultonte i papajisur me leje drejtimi, ndërsa në makinë policia gjeti 800 mijë euro dhe 4 patenta të tjera, dy të ish-ministrit Tahiri dhe një e bashkëshortes së tij.
I pyetur për shumën e konsiderueshme të parave, Sota ka deklaruar se paratë ai do i dorëzonte pranë firmës Kurum për shlyerjen e një fature të mëparshme për blerje hekuri nga kjo kompani.
Por policia ka marrë në pyetje drejtuesit e Kurum, të cilët kanë deklaruar se në aktivitetin e tyre nuk kanë pranuar asnjëherë pagesa CASH nga klientët.
Po ashtu, drejtuesit e kompanisë së hekurit i thanë policisë se nuk prisnin një klient të tillë, pasi nuk kishin patur asnjë komunikim të mëparshëm me të.
Pas këtij momenti 25-vjeçari është pyetur përse gjendeshin në makinën e tij dy patentat e ish-ministrit të Brendshëm, por ai ka deklaruar se i kishte harruar shoferi i Saimir Tahirit me të cilin kishte miqësi.
Pas arrestimit, i dyshuari nuk ka pranuar të japë më shpjegime për policinë. Ndërkohë mësohet se ditën e nesërme ai do të dalë përpara Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkojë prokuroria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



