Biznesmenit shqiptar i sekuestrohen 6 mln euro pasuri në Itali
Guardia di Finanza gjatë një operacioni blic në Breshia ka sekuestruar pasuritë me vlerë rreth 6 milionë euro të një biznesmeni të njohur shqiptar.
Mediat italiane shkruajnë se bëhet fjalë për sipërmarrësin shqiptar, Gëzim Sallaku, i cili në të kaluarën kishte qenë edhe president i klubit të futbollit Darfo.
Sekuestrimi u urdhërua pas hetimeve komplekse të natyrës ekonomike, pasurore dhe të të ardhurave që zbuluan një disproporcion të konsiderueshëm midis standardit të jetesës së Sallakut dhe të ardhurave të deklaruara nga ai në organet tatimore.
Në të njëjtën kohë, policia gjyqësore ka kryer kontrolle në disa banesa pas dyshimeve për transferim të paligjshëm vlerash monetare. Nën hetim janë edhe 69 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash ku dyshohet si i përfshirë edhe biznesmeni shqiptar.
Në qershor të vitit 2021, policia shqiptare sekuestroi pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro në pronësi të biznesmenit Gëzim Sallaku, vëllait të tij Saimir Sallakut dhe një personi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore, i identifikuar si Rabi Kurti. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sekuestron preventive për pronat e Gëzim Sallakut, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e tij, të cilat janë të regjistruara edhe në emër të shtetasve vëllait të tij dhe Rabi Kurtit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



