Boll me idiotësira, Trump-it nuk i intereson fare ‘vartësi i Gysit’
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar ashpër ndaj debatit publik dhe politik rreth ftesës së kryeministrit Edi Rama në forumin e ashtuquajtur “Bordi i Paqes”, që lidhet me ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Përmes një reagimi publik, Murrizi shprehet se kjo ftesë po shitet në opinion si dëshmi e një miqësie të ngushtë mes Ramës dhe Trump, ndërkohë që, sipas tij, realiteti është krejt tjetër. Ai e krahason këtë forum me “dasmat e politikanëve”, ku biznesmenët ftohen jo për miqësi, por për dorovitje dhe pagesa.
Murrizi vë në dukje se në të njëjtin forum është ftuar edhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, të cilin e cilëson si diktator dhe hapur pro-rus. Sipas tij, kjo hedh poshtë tezën se bëhet fjalë për një rreth miqsh apo partnerësh strategjikë të SHBA-së.
Ai ironizon më tej duke thënë se, me këtë logjikë, në forum mund të ftohen edhe figura si presidenti i Kubës, Kim Jong-un i Koresë së Veriut, madje edhe Vladimir Putin apo Xi Jinping, për sa kohë aktiviteti funksionon mbi bazën e pagesës.
Sipas Murrizit, vetë Trump ka deklaruar se për t’u bërë anëtar i përhershëm i këtij forumi kërkohet një pagesë deri në 1 miliard euro, çka sipas tij e bën të qartë natyrën reale të kësaj nisme.
Në reagimin e tij, ish-deputeti kritikon ashpër retorikën politike në Kuvend, duke theksuar se është e pavërtetë të pretendohet se Rama ka ndonjë raport të veçantë me Trump. Ai shton se ish-presidenti amerikan nuk ka interes personal për kryeministrat apo presidentët europianë, duke kujtuar deklaratat e tij të hapura për çështje si Groenlanda.
Në përfundim, Murrizi nënvizon se politika amerikane nuk njeh miq apo armiq të përhershëm, por udhëhiqet vetëm nga interesat e saj, duke krijuar aleanca të përkohshme sipas nevojës.
Reagimi i plotë:
Meqë po na e shisni sikur Presidenti Trump ka ftuar vartësin e Gysit, Edi Ramën si “shok” të ngushtë në forumin “dorovitës” të emërtuar “Bordi i Paqes”, por që në fakt është njëlloj si dasmat e politikanëve apo fëmijëve të tyre kur ftojnë biznesmenë për “gjoba” dhe dorovitje.
Ja që paska ftuar edhe diktatorin Bjellorus, Lukashenko.
Sipas kësaj logjike nuk mendoj që ka ftuar “shoqninë” e tij sepse nuk besoj që Lukashenko është pro Amerikan. Madje është aq pro rus sa do ta kishte shumë zili edhe vetë Putini.
Derisa të mblidhet ky “Bordi i Paqes” mendoj që mund të marrë ftesë edhe presidenti i Kubës dhe Kim Jong-un i Koresë së Veriut, ndoshta dhe vetë Putini me gjithë Xi Jinpingun e Kinës.
Sa kohë që ky forum do të funksionojë me “pagesë” gjithkush mund të jetë në sofër shpjegonte dje vetë Presidenti Trump, duke dhënë detaje që kush do të jetë si anëtar i përhershëm duhet të paguajë 1 miliard euro.
Prandaj boll u jargavitët në Kuvend se Rama ka shoqni të madhe me Presidentin Trump dhe e ka ftuar personalisht se nuk i plas trapi Trumpit jo për Ramën, por për asnjë nga kryeministrat dhe presidentët e Europës sa kohë që ju thotë troç që do ta pushtojë Groenlandën e nuk i plas fare se çfarë thoni ju.
Amerika nuk ka as miq e as armiq të përjetshëm, por veç mbron interesat e saj duke bërë miq e armiq të përkohshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



