Bosi “Alibaba” vizitë në Tiranë
Raportohet se themeluesi i gigantit të teknologjisë Alibaba, Jack Ma, i cili ka qenë i zhdukur prej 3 vitesh, ka vizituar Shqipërinë. Fotot e tij janë publikuar në një restorant të Tiranës, i cili ndodhet vetëm 100 metra larg kryeministrisë. Ndërsa Ma ishte në vendin tonë, ai ishte i shoqëruar nga 6 persona kinezë, megjithatë, ende nuk dihet nëse ata ishin biznesmenë apo pjesë e stafit të tij.
Duke qenë se Ma u pa shumë pranë zyrës së kryeministrit, ka dyshime se vizita e tij në Shqipëri mund të ketë të bëjë me negociata për biznesin e tij, i cili po përballet me ndalime në disa vende. Rasti i fundit është ai i Qeverisë britanike, e cila ka ndaluar administratën e saj të përdorë emrin ‘Ali Baba’ për shkak të lidhjeve me kompaninë kineze të specializuar në tregtinë elektronike, shitjen me pakicë, internetin dhe teknologjinë.
Megjithatë, detaje më të sakta mbi qëllimin e vizitës së tij nuk janë të njohura ende. Ndërkaq, vlen të kujtojmë se kompanitë e Jack Ma kanë qenë prej kohësh nën presion të autoriteteve kineze. Pas daljes së shumëpritur në bursë e kompanisë Alibaba, që më pas u anulua nga autoritetet rregullatorë kineze, ai nuk është shfaqur as në publik, as në media sociale.
Në Kinë, Alibaba është nën hetim për akuzat e sjelljes monopolistike. Mediat raportojnë se Pekini po përpiqet të marrë një pjesë të madhe të kompanisë duke cituar burime të afërta me çështjen. Megjithëse Jack Ma nuk ka asnjë funksion ekzekutiv në kompaninë që ai ka bashkëthemeluar, ai mbetet aksioneri më i madh individual me 5% të aksioneve, e cila vlerësohet në rreth 25 miliardë dollarë. Ndërkaq, ai mungoi edhe në finalen e ‘Africa’s Business Heroes’, një program që ai vetë e ka krijuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



