Braçe shpërthen ndaj Policisë Bashkiake: Gjobëvënës, bëni punën ose shporruni!
Deputeti socialist Erion Braçe ka shpërthyer me tone të forta ndaj Policisë Bashkiake të Tiranës dhe kompanisë së pastrimit “Eco Tirana”, duke denoncuar publikisht situatën e rënduar me mbeturinat në zonën e Selitës.
Vetë në terren, pranë koshave të mbingarkuar, Braçe ka treguar se një ditë më parë kishte ngritur shqetësimin dhe, pas reagimit të institucioneve, zona ishte pastruar. Por situata është rikthyer sërish brenda pak orësh.
Sipas tij, në mëngjes janë hedhur sërish mbetje të ngurta, të cilat duhet të menaxhohen nga kompania koncesionare e pastrimit, duke nxjerrë në pah një problem që duket se përsëritet pa zgjidhje.
“Ose bëni punën, ose shporruni!” – është shprehur Braçe, dukshëm i irrituar nga ajo që e cilëson si papërgjegjshmëri dhe neglizhencë.
Ai ka treguar se gjatë qëndrimit të tij aty ka ndaluar personalisht dy furgonë që tentonin të shkarkonin mbetje në zonë, duke ngritur pyetjen pse Policia Bashkiake mungon në terren.
“Pesë minuta që jam këtu, përzura dy furgona. Po Policia Bashkiake ku është? Nuk ka mundësi të patrullojë këtu?”, dëgjohet të thotë deputeti.
Kritikat e tij nuk janë ndalur vetëm te mungesa e kontrollit, por kanë prekur edhe një shqetësim të hershëm të qytetarëve: gjobat e shumta nëpër lagje.
Braçe ka akuzuar hapur Policinë Bashkiake se është më e fokusuar te vendosja e gjobave ndaj drejtuesve të mjeteve, sesa te zgjidhja e problemeve reale në komunitet.
“Apo jeni të angazhuar me planin e gjobëvënies për të mbushur arkën?”, ka ironizuar ai.
Reagimi i fortë i deputetit socialist nxjerr në pah tensionet brenda vetë mazhorancës, ndërsa problematika e mbetjeve në kryeqytet vijon të mbetet një plagë e hapur për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



