E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braho: E dinim ku ndodhej Beqiri, dosja “Balluku” prioritet absolut
Lajme

Braho: E dinim ku ndodhej Beqiri, dosja “Balluku” prioritet absolut

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka dhënë detaje të reja mbi arrestimin në Francë të Ermal Beqirit, duke theksuar se operacioni ishte rezultat i një bashkëpunimi të gjatë dhe të koordinuar me autoritetet franceze, dhe jo një veprim i rastësishëm.

Braho bëri të ditur se Prokuroria e Posaçme kishte informacion të saktë për vendndodhjen e Beqirit dhe kishte ndërmarrë hapa konkretë për kapjen e tij përmes letërporosive dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, autoritetet shqiptare kishin qenë prej javësh në kontakt me homologët francezë, duke ndarë të dhëna jo vetëm për arrestimin, por edhe për aktivitetet e tjera që lidhen me hetimin ndaj tij. Beqiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes “AKSHI”, ndërsa ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë përfshirjen në grup të strukturuar kriminal, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera dhe vepra të tjera penale.

“Prokuroria, në çdo rast, sapo merr urdhrin e gjykatës, e dërgon për ekzekutim pranë organit që ka detyrën përkatëse. Në këtë moment është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe personi që ju përmendni është njëri prej tyre. Nuk ka qenë një veprim i rastësishëm. Prokuroria ka qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze, ka ndarë informacion me francezët, jo vetëm për kapjen e tij, por edhe për veprimet e tij. Për veprime të tjera do t’ju bëjmë me dije në vijim. Prokuroria e ka ditur se ku ai ndodhej dhe ka dërguar letërporosi para se ai të arrestohej”, tha Braho.

Arrestimi i tij u realizua përmes bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, ndërsa aktualisht ai ndodhet në paraburgim në Francë, në pritje të procedurave për ekstradim drejt Shqipërisë.

Në të njëjtën dalje publike, Braho u ndal edhe te një tjetër çështje e nxehtë, ajo që lidhet me hetimet ndaj ish-zyrtares së lartë Belinda Balluku. Ai e cilësoi këtë dosje si prioritetin më të lartë të SPAK në këtë moment, duke theksuar se hetimet janë intensive dhe po zhvillohen në disa drejtime.

Sipas kreut të SPAK, në këtë çështje janë angazhuar 9 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe 3 prokurorë, për shkak të kompleksitetit dhe nivelit të lartë të subjektit nën hetim. Ai bëri të ditur se janë kryer dhe vijojnë të kryhen veprime të shumta hetimore, ndërsa dosja konsiderohet e ngjeshur dhe me volum të madh provash.

Sa i përket refuzimit të mëparshëm nga Kuvendi për kërkesën e SPAK për arrest, Braho theksoi se ky vendim nuk ka penguar vijimin e hetimeve. Ai la të hapur mundësinë për një kërkesë të re, duke sqaruar se çdo vendimmarrje e tillë do të varet nga rrethanat e reja që mund të dalin gjatë hetimit dhe nga fuqia e provave që do të grumbullohen.

“Kjo është një çështje nën hetim dhe siç e dini nuk mund të jap informacion. Është çështja me prioritetin më të lartë për SPAK kohët e fundit. Në hetim janë angazhuar 9 oficerë të BKH-së dhe 3 prokurorë, për shkak të nivelit të lartë të subjektit. Hetimet janë në vijim. Do të vijë momenti kur ato të përfundojnë dhe atëherë do të jemi më të plotë në lidhje me atë çfarë ka ndodhur. Janë kryer dhe po kryhen shumë veprime hetimore. Bëhet fjalë për një dosje të ngjeshur.

SPAK ka qenë i qartë për atë çfarë ka kërkuar dhe arsyet pse e ka kërkuar. U mor një vendim, sigurisht jo ai që ne kërkuam. Mund të mos jemi dakord me të, por vendimi është detyrues për ne.

Megjithatë, hetimet kanë vazhduar, madje kanë ecur edhe më tej. Nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re, kjo do të jetë një vendimmarrje e përbashkët. Ajo do të varet nga rrethanat e reja që kanë dalë ose që mund të dalin gjatë hetimit, por edhe nga vendimi që ka marrë Parlamenti. Pra, do të varet nga fakti nëse rrethanat e reja janë të mjaftueshme për të kapërcyer argumentet mbi të cilat u mbështet vendimi i Parlamentit,” u shpreh më tej Braho.

Zhvillimet e fundit tregojnë një intensifikim të veprimeve të SPAK, si në drejtim të goditjes së krimit të organizuar me shtrirje ndërkombëtare, ashtu edhe në hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.