Bravo doktor, e vure nderin në vend për veten!
Por a mjafton për popullin opozitar?
Udhëtimi i paralajmëruar i Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara po shitet nga demokratët si një fitore diplomatike dhe po zhvlerësohet nga kundërshtarët si një shëtitje Tiranë-Dallas pa peshë politike. Të dyja palët po zëvendësojnë faktet me propagandë.
Nëse Berisha hyn në territorin amerikan, pas viteve gjatë të cilave shpallja “non grata” u përdor për ta izoluar politikisht, kjo përbën një fitore personale të Berishës që nuk mund të shpërfillet. Por rrëzon, të paktën, idenë e izolimit absolut dhe të përhershëm të liderit demokrat.
Në politikë, simbolika ka peshë. Berisha e di këtë më mirë se kushdo. Për këtë arsye, udhëtimi do të përdoret deri në kufijtë e mundshëm për konsum të brendshëm: fotografi, takime, deklarata dhe mesazhe që do të paraqiten si rikthim madhështor në Amerikë.
Pjesëmarrja në një aktivitet partiak në Teksas nuk është takim zyrtar me administratën amerikane. Një vizë edhe është, edhe nuk është rehabilitim politik. Një fotografi me përfaqësues republikanë nuk është ndryshim i politikës së jashtme amerikane. Përpara se kjo vizitë të shpallet “fitore historike”, duhen emrat e takimeve, niveli institucional dhe mesazhet që do të dalin prej tyre.
Nga ana tjetër, përpjekja e korbave mediatikë për ta paraqitur udhëtimin si një “qokë mes humbësish” është po aq e cekët. Dy partitë amerikane kalojnë cikle ngritjeje dhe rënieje. Republikanët kanë problemet e tyre elektorale, por mbeten një prej dy forcave që përcaktojnë politikën e superfuqisë më të madhe të botës. T’i përshkruash si një grup në hall, të cilit Berisha po i shkon për ngushëllim, është batutë për konsum në rrjetet sociale, jo analizë politike.
Problemi kryesor nuk është nëse republikanët amerikanë janë në vështirësi, sepse zgjedhjet janë në nëntor. Problemi është se opozita e doktor Berishës vazhdon ta kërkojë legjitimitetin dhe fitoren jashtë vendit.
Na është shpifur prej vitesh mënyra se si politika shqiptare funksionon si një garë për të siguruar fotografinë me Yuri Kim, Blinkenin që vuloste liderin Rama si udhëheqësin më të mirë për Shqipërinë apo kur i bënte presion Lul Bashës: “Po prishe zgjedhjet, do ta shpall organizatë terroriste PD-në”. Lëre pastaj ambasadorokracinë e neveritshme, që të vinte për të vjellë, të sojit Yuri Kim, që sot e kësaj dite vijon të marrë këstet nga djersa dhe taksat e shqiptarëve me “Tigrat e Vlorës”, që po rrjepin miliona euro prej vitesh. Jemi mësuar, për hir të stabilokracisë, me deklarata apo me bekimin e radhës nga Uashingtoni dhe Brukseli për qeverinë Rama, edhe pse tashmë shqiptarët po e provojnë me fakte se Shqipëria është de jure çiflig i Edi Ramës dhe i disa pasanikëve shqiptarë e të huaj.
Viza amerikane e doktorit nuk është fitore, por as udhëtimi në Dallas nuk është qokë humbësish.
Hyrja e Berishës në territorin e SHBA-së përbën një zhvillim politik. Nuk mund të paraqitet si fakt pa rëndësi, sepse për vite me radhë marrëdhënia e tij me Uashingtonin ka qenë një nga çështjet kryesore të debatit shqiptar. Por viza nuk është certifikatë pafajësie, anulim automatik i shpalljes “non grata” apo njohje ndërkombëtare e një fitoreje që opozita nuk e ka arritur në Shqipëri.
Problemi real i Sali Berishës është në Tiranë, jo në Teksas.
Partia Demokratike nuk mund ta ndërtojë rikthimin e saj në betejën e protestave mbi hyrjen e kryetarit në aeroportin amerikan. Po bëhen tre muaj me protesta, ndërsa, edhe pse shumë demokratë janë pjesë e protestës, opozita e doktorit vëzhgon nga tastiera apo zyra zhvillimet politike. Opozita ka nevojë për vota, organizim, besueshmëri dhe një alternativë qeverisëse. Nëse zgjedhjet vendore janë në maj të vitit 2027, ku janë kandidatët e opozitës? Rama e ka Manastirliun që nuk po ngjit. Edhe Braçe është vetëshpallur! Po të zbriten festat dhe pushimet jane 6 muaj para zgjedhjeve. Apo ku i dihet, Zoti e bën mrekullinë në minutën e fundit… Rama, mirë apo keq, politikisht e bëri “Besën” me “Pasqyrën”, edhe pse, në fakt, mund të jetë pasqyra ku Rama nuk shikon dot qartë as portretin e tij shumë të plakur nga megakorrupsioni dhe krimi në mbi një dekadë qeverisjeje.
Asnjë vizë nuk e zëvendëson terrenin dhe betejën politike në terren. Edhe sikur Berisha të pritej nga Trumpi, kjo nuk do të fshinte humbjet elektorale, dobësitë organizative apo pamundësinë e PD-së për të zgjeruar bazën përtej mbështetësve tradicionalë fanatikë dhe për të krijuar një frymë fitoreje.
Rama dhe mbështetësit e tij, realisht, nuk mund ta përdorin më politikën amerikane dhe europiane si prokurori, gjykatë dhe komision zgjedhor për opozitën shqiptare. Fati i Berishës dhe i PD-së duhet të vendoset nga votuesit shqiptarë dhe nga drejtësia, kur ekzistojnë çështje penale, jo nga interpretimet selektive të sinjaleve diplomatike sipas dollarëve apo eurove korruptuese të qeverisë Rama.
Në fakt, gjeneralin ambasador Eric Wendt nuk ka kush ta presë në Tiranë, edhe pse të gjithë po e presin.
Berisha kërkon legjitimitet në Uashington, ndërsa Rama kërkon atje delegjitimimin e kundërshtarit. Të dy e trajtojnë Shqipërinë si një provincë politike, ku pushteti merret ose humbet sipas temperaturës së marrëdhënieve me ambasadat, gjë që, në fakt, ka ndodhur rëndom në fshatin tonë politik.
Nëse udhëtimi sjell një ndryshim të dokumentuar në marrëdhëniet e tij me institucionet amerikane, ky ndryshim duhet pranuar. Nëse mbetet një aktivitet partiak pa pasoja politike, duhet trajtuar në përmasat reale. Deri atëherë, shpallja e vizitës si triumf është propagandë, ndërsa paraqitja e saj si “qokë humbësish” është propagandë nga krahu tjetër.
Rrugë të mbarë, doktor, por beteja jote nuk zhvillohet në Teksas. Zhvillohet në Shqipërinë e protestave dhe të “Pasqyrë Albania”, me miksim “Bese”. Këtu nuk të hyn në punë as viza amerikane dhe as ajo britanike; të duhen votat. Në fund të fundit, ti ia dole denjësisht për veten dhe e vure nderin në vend, por a mjafton për popullin opozitar dhe për të ardhmen e këtij vendi kjo fitore e jotja me Blinkenin, Charles McGonigalin, mikun e Ramës, dhe ish-ambasadoren Yuri Kim?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



