Bulqizë, arrestohen 5 punonjës të stafit teknik të kompanisë
Për vdekjen e minatorit
Policia njofton se janë arrestuar 5 punonjës të kompanisë minerare “Gerti Sh.p.k,”, ku ishte i punësuar 66-vjeçari Fari Veliu i cili humbi jetën në një minierë në Bulqizë pas shembjes së kromit.
Referuar të dhënave në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “GERTI Shpk”, e cila është në pronësi të Jeton Danit.
Viktima është Fari Veliu, 66 vjeç, i cili ndërroi jetë si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor brenda në galeritë e minierës. Sipas autoriteteve, minatori u transportua në Spitalin e Bulqizës pa shenja jete, me dëmtime të shumta trupore, duke e bërë të pamundur shpëtimin e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 dhe u raportua nga kolegët e tij të punës.
Galeria ku ndodhi aksidenti i përket kompanisë private “GERTI Shpk”, në pronësi të biznesmenit Jeton Dani, një emër i njohur në zonë për aktivitetin e tij minerar dhe lidhjet politike me Partinë Socialiste. Djali i tij, Murat Dani, ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit lokale të 11 majit në qarkun e Dibrës. Aksidenti i rëndë vë sërish në qendër të vëmendjes kushtet e rrezikshme të punës në galeritë e Bulqizës, ku siguria për jetën e minatorëve mbetet minimaliste, ndërsa kontrolli mbi zbatimin e standardeve duket thuajse inekzistent.
Pavarësisht tragjedisë dhe mungesës së standardeve të sigurisë në punë, pronari i kompanisë nuk është ndaluar nga autoritetet. Policia njoftoi se ka arrestuar pesë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar, ndër ta inxhinierë dhe përgjegjës teknikë, ndërsa pronari i kompanisë nuk është marrë në përgjegjësi penale. Policia ka arrestuar pesë punonjësve të stafit teknik të kompanisë minerare, Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç duke lënë të lirë vetë pronarin, babain e kandidatit të PS-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



