E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Burri i Elisabeta Matajt kallëzon ish-shefen e financës së Postës Durrës
Lajme

Burri i Elisabeta Matajt kallëzon ish-shefen e financës së Postës Durrës

Akuza për pasuri të pajustifikuar dhe pastrim parash: Ajo dhe 2 djemtë e saj me makina luksoze, rrogën e kishte 60 mijë lekë

Zhvillime të reja kanë dalë në pah në çështjen e abuzimit me fondet në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, teksa një kallëzim i ri penal pritet të zgjerojë hetimet për këtë skandal financiar.

Sipas burimeve nga terreni, vendosja e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-shefes së Financës së Postës Durrës, Valbona Duni, ka sjellë një tjetër kthesë në hetim, duke hapur një pistë të re verifikimesh nga organet ligjzbatuese.

Vetëm dy ditë pas këtij vendimi gjyqësor, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj – aktualisht në masën “arrest në burg” – ka depozituar një kallëzim penal pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Në këtë kallëzim, ai ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-shefes së Financës, duke kërkuar hetim të thelluar për rolin e saj në këtë çështje.

Në dosjen ekzistuese, Elisabeta Mataj, Valbona Duni dhe shtetasja P. Dana janë marrë të pandehura pas kallëzimit të bërë nga Posta Shqiptare, nën dyshimet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.

Në kallëzimin e paraqitur më 20 korrik, Feta Mataj pretendon se bashkëshortja e tij është bërë padrejtësisht përgjegjëse për skandalin financiar, ndërsa sipas tij, përgjegjësia duhet të hetohet edhe në drejtim të Valbona Dunit.

Ai thekson se, bazuar në verifikime private, ka ngritur dyshime për një pasuri të konsiderueshme të krijuar nga ish-shefja e Financës, e cila sipas tij nuk justifikohet me të ardhurat zyrtare. Sipas pretendimeve, ajo përfiton një pagë mujore rreth 60 mijë lekë, ndërsa disponon asete me vlerë shumë më të lartë.

Në kallëzim përmendet se Duni dhe familjarët e saj zotërojnë automjete luksoze të viteve të fundit, disa apartamente në Durrës dhe Tiranë, si dhe biznese të hapura në vitet e fundit. Sipas kallëzuesit, këto aktivitete mund të jenë përdorur për të justifikuar të ardhura të dyshuara si të paligjshme, duke ngritur dyshime për pastrim parash.

Një tjetër element i ngritur në kallëzim lidhet me shtimin e pasurisë pas vitit 2020, periudhë që përkon me menaxhimin e fondeve të rindërtimit pas tërmetit. Kjo, sipas tij, kërkon verifikim të plotë nga institucionet e drejtësisë për të përcaktuar nëse ka pasur abuzime me fondet publike.

Në përmbajtjen e kallëzimit kërkohet që organet hetimore të shqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit në administrimin e fondeve nga viti 2020 e në vijim, si dhe të kryhet një hetim i detajuar pasuror dhe financiar për ish-shefën e Financës dhe familjarët e saj.

Feta Mataj shton gjithashtu se bashkëshortja e tij kishte sinjalizuar më herët për problematika në sektorin e financës, por sipas tij, këto shqetësime nuk ishin marrë parasysh nga drejtuesit përkatës.

Ndërkohë, Policia e Durrësit ka bërë me dije se po punohet për referimin e kallëzimit në Prokurori, e cila do të vlerësojë pretendimet dhe do të vendosë mbi regjistrimin e mundshëm të një procedimi penal dhe nisjen e verifikimeve për akuzat e ngritura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.