Bushati: PD ka nevojë për “Kuvend Pajtimi”, të dalim me një strukturë drejtuese kolegjiale
Zhvillimet më të fundit brenda Partisë Demokratike, duket se i kanë çuar palët më larg se sa ato ishin para dhe pas zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023.
Duket se tashmë kemi 3 realitete brenda PD-së, ku nga njëra anë është PD-ja zyrtare, e cila dje gjatë mbledhjes së kryesisë duket se është plasaritur brenda saj. Nënkryetarja Tabaku ka dhënë dorëheqjen nga funksioni dhe sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, është larguar nga mbledhja. Ndërsa nga ana tjetër është “Rithemelimi” I PD-së.
Nisur nga kjo situatëm deputeti i PD-së Helidon Bushati, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Faceboook, ka kërkuar nga të gjitha palët që të shkohet drejt një “Kuvendi Pajtimi”.
Sipas tij, zgjedhjet vendore të 14 majit dëshmuan më së miri se nga një PD e ndarë humbasin të gjithë.
“Referuar situatës së pazakontë nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike pergjatë këtyre viteve, si dhe humbjes apo disfatës në zgjedhjet që lëmë pas, ky moment duhet të jetë një mundësi për ndërgjegjësim, reflektim objektiv dhe jo një mundësi për të gjetur alibi apo justifikime për humbjen.”- deklaron Bushati.
Sipas tij, ajo që ai beson që nga shtatori i vitit 2021, është se më shumë se kurrë demokratëvë dhe Partisë Demokratike në këto momente, i duhet krijimi i një platforme për bashkimin e të gjithë frontit opozitar “nëpërmjet një Kuvendi Pajtimi me njerëz dhe strategji komunikimi të re e të vërtetë me të cilën i drejtohemi çdo demokrati, opozitari dhe qytetari të këtij vendi”.
“Vlerësoj se është më e drejtë dhe denjitoze duke filluar nga unë dhe shumica e atyre që kemi humbur sfida në nivel qarqesh apo në nivel kombëtar se është koha të bëjmë një hap pas dhe të jemi mbështetje për figurat e reja që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe do të marrin përsipër përgjegjësinë për ta ringritur atë bashkë me ne.
Ky është detyrimi yne, vetëm kështu mund të ringrihemi. Jemi ne ata që duhet t’iu japim mundësinë dhe të mbështesim fort formësimin e një klase të re politike në drejtim të Partisë Demokratike.”- thekson Bushati.
Sipas tij, është koha që të lihen pas akuzat drejtuar ndaj njëri- tjetrit, si e si për të gjetur fajtorin, ku “fajtori i vetëm është përçarja e krijuar mes nesh”.
“Partia Demokratike për tu ringritur duhet të mbështet tek e vetmja zgjidhje e shëndoshë që kapërcen çdo interes personal, zgjidhja e vetme duhet të gjendet tek krijimi i një fronti të gjërë opozitar. Organizimi, siç e kam artikuluar në çdo mbledhje grupi, i një Kuvendi Pajtimi nga i cili të dalim me një strukturë drejtuese kolegjiale gjithëpërfshirëse, të përkohshme dhe me një strategji të re komunikimi, e cila ti përgjigjet kohës. Besoj fort se ky është i vetmi instrument që do na mundësojë të ringrihemi.”- mbyll postimin Bushati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



