BUXHETI u miratua për 7 minuta, si do të shpenzohen 7,2 miliardë euro
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot nen për nen dhe në tërësi Projektbuxhetin e vitit 2024 dhe projektligjet e paketës fiskale që e shoqërojnë atë.
Buxheti i vitit 2024 parashikon 737.4 miliardë lekë shpenzime publike ose 30.3% e Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që të ardhurat buxhetore planifikohen në masën 676 miliardë lekë ose 27.8% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Deficiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe Borxhi Publik do të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së.
Shpenzimet e Personelit parashikohen në nivelin 119.8 miliardë lekë, duke përfshirë dhe fondin që do të shërbejë për rritjen e pagave në administratën publike, duke nisur nga 1 korriku 2024. Efekti i plotë i rritjes së pagave është 39.1 miliardë lekë, duke filluar nga 1 janari 2025.
Deputetët socialistë të Komisionit të Ekonomisë kanë vënë para një tepsi me bakllava para se të nisin diskutimet për projekt-buxhetin e vitit 2024. Në filmimet që i bën Erjon Braçe llokmat e bakllavasë krahasohen me ndarjen e buxhetit të vitit 2023.
Deputetja Blerina Gjylameti është ajo që bën prezantimin e tepsisë së bakllavasë me rastin e diskutimeve të projekt-buxhetit, ndërsa flet për indeksimin e pensioneve dhe bonusin e pensionistëve.
Por më shumë se për ato pak lekë që do përfitojnë pensionistët, viti 202ë do të jetë i mbarë në veçanti për deputetët, ministrat dhe kryeministrin Edi Rama. Të gjithë këta presin të marrin një dorë të mirë parash, sepse rroga e deputetëve u dyfishua dhe nga 156 770 lekë shkoi në 310 250 lekë të reja ose 3 milion e 100 mijë lekë të vjetra në muaj.
Mbi këto 3 milion lekë të vjetra, shtohen edhe pagesat e naftës, të telefonit, të qirasë dhe dietave të tjera. Disa vite më parë, gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 Edi Rama e kërkoi i vetëm tepsinë e pushtetit dhe ia arriti duke lënë në opozitë PD dhe LSI.
Atëherë u fol shumë për tepsinë që simbolizonte mënyrën se si e kishin ndarë partitë administratën shtetërore. Tani që e kanë të vetëm tepsinë, socialistët e kanë mbushur atë me bakllava, ia kanë rritur rrogat vetes dhe ia fusin me gallata. Shikoni videon më poshtë:
Paga e ministrave nga 174 760 lekë shkoi në 318 750 lekë.
Paga e kryeministrit nga 228 000 lekë shkoi në 393.125 lekë.
Paga e Kryetarit të Kuvendit nga 228 000 lekë shkoi në 393.125 lekë.
Buxheti 2024 për skemën e pensioneve do të financojë rreth 185.8 miliardë lekë, duke siguruar fondet e nevojshme për indeksimin e pensioneve si dhe bonusin e përvitshëm për pensionistët.
Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e Produktit të Brendshëm Bruto, ose 128.5 miliardë lekë, duke u fokusuar në projektet që mbështesin turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin.
Sektori i arsimit do të financohet në total me 78.8 miliardë lekë ose 3.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Sektori i Shëndetësisë do të financohet me rreth 72.2 miliardë lekë në vitin 2024 ose 3% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Sektori i infrastrukturës dhe energjisë do të mbështetet me 52.7 miliardë lekë ose rreth 2.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Për sektorin e mbrojtjes janë alokuar 2% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke arritur për herë të parë objektivin lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s.
Buxheti 2024 mbështet më tej reformën në drejtësi, duke alokuar 26.8 miliardë lekë për këtë sektor, 4.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2023.
Sa i përket Buxhetit Vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me Buxhetin e vitit 2023.
Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



