E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çahet traseja e rrugës së florinjtë 260 mln euro Qafë Plloçë-Qukës
Lajme

Çahet traseja e rrugës së florinjtë 260 mln euro Qafë Plloçë-Qukës

Thellohet skandali në aksin Qafë Plloçë–Qukës, ku trupi i rrugës në lotin e dytë, pranë kthesës së fshatit Trebinjë, ka pësuar çarje të konsiderueshme, duke ngritur sërish pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe cilësinë e ndërtimit.

Siç duket edhe nga pamjet e siguruara, dëmtimi prek si pjesën qendrore të trasës, ashtu edhe anësoret, duke krijuar probleme të rënda në këtë segment rrugor. Për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve vijon vetëm në një korsi në zonën e dëmtuar, ndonëse aksi nuk është mbyllur plotësisht.

Problemet në rrugën Qukës–Qafë Plloçë nuk janë të reja. Shembjet nisën që me reshjet e para të vjeshtës, vetëm 27 ditë pas përurimit të aksit, një vepër infrastrukturore për të cilën u punua për plot 14 vite me radhë.

Edhe pse kostoja e projektit arriti në rreth 260 milionë euro, rruga vijon të mos ofrojë siguri për përdoruesit. Rasti më i fundit u regjistrua më 7 janar, kur qarkullimi u bllokua për disa ditë për shkak të rrëshqitjes së dherave. Në të njëjtën ngjarje, një automjet që udhëtonte nga juglindja drejt Tiranës u zuri poshtë nga masivi i dheut, duke rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesit të mjetit.

Shembjet e përsëritura kanë ngritur dyshime të forta mbi projektimin e aksit, mbikëqyrjen e punimeve dhe cilësinë reale të ndërtimit. Rruga, e promovuar si një investim strategjik për lidhjen e Lindjes me Perëndimin, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një simbol të keqmenaxhimit të fondeve publike.

Ndërkohë, firma kontraktore raportohet se ndodhet në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar është njoftuar dhe pritet të ndërhyjë për vlerësimin dhe zgjidhjen e problematikës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.