E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Celibashi dhe Lorena, nuk kontrollojnë dot as fondin limit në tenderat sekretë
Denoncime

Celibashi dhe Lorena, nuk kontrollojnë dot as fondin limit në tenderat sekretë

Renis Tërshana i Credins Bank dhe Sokol Topçiu, miq që marrin para nga Celibashi sa herë ka zgjedhje

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, dhe Lorena Mavriqi kanë “festë” sa herë shpallet data e zgjedhjeve, qoftë edhe për disa bashki. Çifti i tenderave sekretë lumturon miq e shokë, duke i mbushur letrat edhe kur janë gabim, megjithëse Lorena njihet për kujdesin e saj në plotësimin e formularëve.

Kësaj radhe, me bindjen se askush nuk i kontrollon dhe nuk japin llogari, nuk kanë plotësuar as shifrën e saktë. Kompania INTELISOFT ka fituar tenderin mbi fondin limit.

Kaq shumë u janë errësuar sytë, sa nuk kontrollojnë të paktën të mos kalojnë fondin limit.

Duket se janë fokusuar tek shuma e madhe 440 milionë lekë, që Ilirjan Celibashi i ka dhënë pa garë brenda dy ditëve, duke shfrytëzuar “procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit”.

Në mënyrë abuzive, kreu i KQZ-së përdor një pikë të ligjit që justifikohet vetëm në rast emergjence. Pra, duhet të jetë rast përjashtimor, dhe jo të kthehet në rutinë për të qarkulluar para në llogaritë e miqve.

Sipas nenit 47/1, pika c) të Ligjit për Prokurimin Publik, kjo procedurë përdoret:

“Kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti ose enti kontraktor, afatet kohore për procedurat e hapura, të kufizuara, të thjeshtuara apo me negocim me shpallje paraprake nuk mund të respektohen. Rrethanat e përmendura për të justifikuar nevojën ekstreme nuk duhet të shkaktohen në asnjë rast nga vetë autoriteti ose enti kontraktor.”

Sipas dekretit të shpallur më 1 tetor, zgjedhjet zhvillohen më 9 nëntor, pra ka pasur kohë të mjaftueshme për të shpallur tenderin dhe respektuar afatet ligjore.

Vetë data e lidhjes së kontratave, 27 dhe 28 tetor 2025, tregon se afatet mund të respektoheshin lehtësisht.

Dy kontrata “me negocim” për Renis Tërshanën

Por Ilirjan Celibashi e ka mbyllur me kohë “pazarin” me miqtë e tij.
Më kryesori, si gjithmonë, është biznesmeni Renis Tërshana, pronari i kompanisë “R&T” sh.p.k.

Ai ka marrë kontratën me objekt:

“Shërbim për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të procesit të numërimit të votave dhe shërbimi i përgatitjes së kamerave në QV”.

Tenderi është hapur më 22 tetor dhe mbyllur më 28 tetor — pra, për vetëm 6 ditë është mbyllur “negociata” e Celibashit me Tërshanën.
Lorena Mavriqi dhe Celibashi e dinë pazarin; thjesht mbushin letrat, pa zhvilluar garë, siç e kërkon ligji.

Fondi limit për këtë shërbim ishte 27,666,503 lekë pa TVSH, ndërsa vlera përfundimtare e kontratës së shpallur më 28 tetor 2025 është 33,159,510 lekë me TVSH.

Bosi i Credins Bank, Renis Tërshana, nuk është mjaftuar me kaq, por ka marrë edhe një tjetër fond brenda të njëjtës javë, sërish me procedurë “me negocim pa shpallje paraprake”.

Tërshanës i është dhënë tenderi “Shërbime Live Vote”, me fond limit 2,083,194 lekë pa TVSH, ndërsa vlera përfundimtare është 2,498,400 lekë me TVSH.

Kjo kontratë është shpallur më 23 tetor 2025.

Edhe materialet e kancelerisë, pa garë!

Oligarku Grigor Joti nuk lë as qindarkat për bizneset e tjera, por merr me tender “sekret” furnizimin me materiale kancelerie të KQZ-së.

Më 28 tetor 2025, Celibashi ka miratuar kontratën “Blerje materiale kancelarike” me vlerë 1,885,320 lekë me TVSH, të cilat kalojnë në llogarinë e kompanisë InfoSoft Office sh.p.k.

Sokol Topçiu, kontrabandisti që bën vulat e KQZ-së

Celibashi respekton gjithmonë me “pazar të kopsitur” edhe Sokol Topçiun.
Ky i fundit njihet si kontrabandist ilaçesh, i arrestuar në vitin 2021. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar të marrë afro 200 tendera nga ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndërkaq, nga Celibashi ai ka siguruar tenderat për bojën timbruese, që fshihej menjëherë sapo dilje nga qendra e votimit.
Së fundmi, kreu i KQZ-së i ka dhënë Topçiut tenderin për të bërë vulat e institucionit.

Me tender “sekret”, Topçiu është shpallur fitues i kontratës me objekt “Vula Kode Sigurie”.
Më 21 tetor 2025, kompania Vitanet Albania sh.p.k., në pronësi të Sokol Topçiut, ka marrë kontratën me vlerë 1,327,800 lekë me TVSH.

51 milionë lekë për bexhe

Një shumë e konsiderueshme parash është dhënë për printimin e bexheve.


Kompania “Graphic Line – 01” sh.p.k., me pronare Vasilika Koten, është ftuar të marrë tenderin me objekt:

“Prodhim shenja identiteti (bexhe PVC) dhe etiketa me elemente sigurie”.

Fituesja është shpallur më 27 tetor 2025 dhe ka marrë kontratën me vlerë përfundimtare 5,122,080 lekë me TVSH.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut të shpenzimeve të KQZ-së për këto minizgjedhje, shumica dërrmuese e të cilave ndahen me tendera “sekretë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.