E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Celibashit i  bllokohet  tenderi 352 MLN lekë për zarfa të KQZ-së, nga denoncimet
Lajme

Celibashit i bllokohet tenderi 352 MLN lekë për zarfa të KQZ-së, nga denoncimet

Po vijnë zgjedhjet e tjera, por kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nuk e ka mbyllur akoma tenderin për blerje zarfash të sigurisë që e ka hapur një vit më parë.

Tenderi 352 milionë lekë nisi në janar 2023 dhe vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve  në KQZ dhe në Komisionin e Prokurimeve Publike. Ç’po ndodh? Nuk kanë të ndalur denoncimet për shkeljet.

Bëhet fjalë për prokurimin me Nr. REF-56408-01-19-2023, me objekt: “Prodhim zarfa sigurie dhe procesverbale me letër kimike”, me fond limit 35,288,816 lekë (pa TVSH) zhvilluar me datë 15 mars 2023 nga autoriteti kontraktor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Për këtë procedurë, në mars 2024 është bërë një tjetër denoncim nga dy kompani private.

Në dokument  përshkruhet se në datën 01.03.2024 pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar ankimi elektronik i bashkimit të operatorëve ekonomikë “Interlogistic” SHPK dhe “Inpress” SHPK, përfaqësuar nga operatori ekonomik “Interlogistic” SHPK. Nga shqyrtimi paraprak i ankesës konstatohet se dy firmat kundërshtojnë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kualifikimin e ofertës së paraqitur nga operatori ekonomik “ALBDESIGN PSP” SHPK në procedurën e prokurimit.

Sipas tyre, firma fituese nuk ka paraqitur dëshmitë që mund të vërtetojë që ka kryer punë të ngjashme më parë, si dhe s’ka dorëzuar dokumentet tatimore për të ardhurat.

Dy denoncime të tjerë

Gjithsesi pritet çfarë vendimi do të marrë KPP këtë herë, pasi ky është rasti i dytë që dy firmat denoncojnë këtë tender, me të njëjtin qëllim. Denoncimi i parë nga kompanitë “Interlogistic” SHPK dhe “Inpress” SHPK është bërë në gusht të vitit 2023. Edhe në atë kohë, kërkesa e tyre ishte shfuqizimi i vendimit tё KQZ për kualifikimin e ofertës fituese së paraqitur nga operatori ekonomik “Albdesign PSP” SHPK, sepse është “anomalisht e ulët”.

“Oferta ekonomike e paraqitur nga operatori ekonomik ”Albdesign PSP” është 30% më e ulët se vlera e fondit limit. Në zbatim të ligjit “Për prokurimin publik”, kjo ofertë do të duhet të konsiderohet anomalisht e ulët, dhe si rrjedhojë e papranueshme nga AK, argumentohet në kërkesën e dy kompanive”, thuhej në denoncimin e tyre.

Gjithsesi, para tyre ishte bërë një denoncim më datë më datë 26 janar 2023 nga firma “Adel Co”. Kompania pretendonte se ishte vendosur një kriter im paplotësueshëm, për shkak se kërkohej vërtetim për xhiron gjatë vitit 2022 ( ndërkohë që edhe Tatimet presin deri në 31 mars të vitit pasaardhës për këtë deklarim).

Ndërkohë, edhe KPP vlerësonte se ky kriter është në shkelje të ligjit, pasi asnjë kompani nuk mund të tërheq vërtetimin për xhiron vjetore të vitit 2022 nga Drejtoria e Tatimeve për shkak se rezultati nuk ka dalë akoma.

Gjithashtu KPP konsideroi si të vlefshme edhe ankesën për pikën ku KQZ kërkonte që ofertuesi të dorëzojë vërtetimin që tregon se ka në dispozicion 40 punonjës. Sipas Komisionit, prodhimet e procesverbaleve për vitin 2025 nuk do të bëhen që tani. Pra, jo të gjitha në të njëjtën kohë. Kështu maksimumi i punonjësve që nevojiten është 10.

Në këto kushte, KPP i kërkoi Celibashit që të modifikojë sa më parë dokumentet. Vendimi kërkonte që të eliminoheshin kriteret të cilat krijojnë hapësira për interpretime dhe abuzim! Por Celibashi nuk është dorëzuar ai ka vazhduar sërish me tenderin, por sërish ka mbetur “peng” në dyert e KPP.

Ky tender u nis për nevojat e KQZ-së për zgjedhjet e 14 maj 2023 dhe duket se do të përfundojë për ato të vitit 2025. Deri atëherë, Celibashi dhe KPP do ta kenë gjetur kompromisin se cilës firmë do t’ia japin këtë thes me lekë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.