Çelja e negociatave me Shqipërinë, me kushte nga Bashkimi Europian
Këshilli Evropian ka vendosur çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.
Burime për Euronews Albania, bëjnë me dije se Bashkimi Europian ka vendosur për Shqipërinë disa kushte para çeljes së negociatave.
E siç ishte lajmëruar më parë, propozimi i parë i Presidencës kroate ka ndryshuar me kushtet e vëna nga Bundestagu gjerman dhe kushtet e shtuara nga Holanda.
Pasi këshillohet Komisioni Evropian për përgatitjen e kuadrit të ri negociues, Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme paraprakisht mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare:
1. Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, duke garantuar financim transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore,
2. Duhet të garantojë zbatimin e vijueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë garantimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën relevante ndërkombëtare përfshirë opinionet e zbatueshme të Komisionit të Venecias,
3. Si dhe të përfundojë vendosjen e strukturave të specializara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas burimeve të Euronews Albania, debatet mes vendeve anëtare javën që kaloi kanë qenë mjaft të gjalla dhe kanë zgjatur më shumë seç pritej.
Sakaq, bëhet me dije se drafti ka lënë ende të pakënaqur disa vende mbështetëse dhe disa kundërshtare, ndërsa afati për ndryshime të mëtejshme ishte dita e sotme, pasi në rast të kundërt Franca ka kërcënuar se nuk do të marrë pjesë në video-konferencën e ditës së martë kur ministrat e çështjeve evropiane duhet të marrin vendimin, para miratimit nga Samiti i të enjtes.
Nuk dihet ende data e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare, ndërsa ecuria e procesit do të varet thelbësisht nga aftësia për plotësimin e kushteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




