E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çështja e pagave, gjyqtarët kallëzojnë penalisht ministrin Petrit Malaj
Lajme

Çështja e pagave, gjyqtarët kallëzojnë penalisht ministrin Petrit Malaj

Mosekzekutimi i pagave për muajin gusht 2026 ka sjellë një kallëzim penal nga gjyqtarë, të cilët kërkojnë nisjen e hetimeve për të zbardhur përgjegjësitë lidhur me bllokimin e pagesave.

Në kallëzimin e depozituar pranë organit të prokurorisë kërkohet që të hetohen rrethanat që kanë çuar në mosdhënien e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të identifikohen personi apo personat që kanë marrë, përcjellë ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë këtë situatë.

Mes personave të kallëzuar figuron edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.

Gjyqtarët nënvizojnë se problemi nuk lidhet me një rast individual, por prek një numër të konsiderueshëm magjistratësh në të gjithë vendin. Për këtë arsye, në kallëzim kërkohet që hetimi të përcaktojë në mënyrë konkrete se kush ka marrë vendimin dhe cilat veprime apo mosveprime kanë sjellë si pasojë mosekzekutimin e pagave.

Në dokument sqarohet gjithashtu se nisma penale nuk ka për qëllim të zëvendësojë procedurat administrative, gjyqësore apo institucionale që mund të përdoren për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave.

Po ashtu, gjyqtarët deklarojnë se kallëzimi nuk synon të ushtrojë presion ndaj institucioneve shtetërore për të arritur një rezultat të caktuar financiar. Sipas tyre, objektivi është verifikimi në rrugë penale i ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve që kanë çuar në bllokimin e pagesave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale në përputhje me ligjin.

Në kallëzim thuhet:

“Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në Republikën e Shqipërisë.

Kallëzimi paraqitet me qëllim që organi i prokurorisë të identifikojë personin/personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosekzekutimin e pagave.

Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.