Një sy i kujdesshëm mund t’i nxjerrë lehtësisht disa ndryshime mes socialistëve dhe demokratëve, sidomos kur ngjarjet zhvillohen afër njëra-tjetrës: të shtunën u mbajt në Tiranë asambleja e PS-së (Lexo këtu), ndërsa vetëm një ditë më pas kuvendi i PD-së (Lexo këtu).
Krahasimin nuk po e përqëndrojmë te numri i pjesëmarrësve a ambjenti për faktin e thjeshtë se socialistët mblodhën asamblenë dhe jo kongresin, por në shpërfaqjen e dy palëve, rivalë, mund të merremi me disa nuanca, strategji e deri te qëllimet, ato të dukshmet.
Le ta nisim nga elementët më spikatës:
Ibsen Elezi vs Elisa Spiropali
Ibsen Elezi, ish-kreu i PD-së Kukës dhe ish-drejtoresha e Doganave, tashmë deputete Elisa Spiropali qenë padyshim dy etalonët e gjithë ç’ndodhi mes demokratëve dhe socialistëve. Elezi, në një fjalim thuajse 15 minutash të gjatë kritikoi gjithçka po ecte keq në PD, duke shënjestruar kreun, Lulzim Bashën. Elezi pasi argumentoi kritikat e tij, tha edhe se “ky kuvend është fals”, duke kritikuar statutin e ri, zgjedhjen e sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristanin, proceset e zgjedhjes etj. ‘Sot s’jeni për të bërtit Luli, Luli, kjo është çështje morali, se si PD të vijë në pushtet dhe si Partia Demokratike të drejtojë me moral dhe ndershëm këtë vend”, tha në përfundim Elezi.
Ndërsa Elisa Spiropali, e njohur për cilësimet e kryeministrit Edi Rama si njeriu që do bëjë Shqipërinë sipas ideimit të Skënderbeut, tregoi plot pathos një rast suksesi të qeverisë së saj. Fjalimi i saj u shoqërua më pas me kritikën e kryetarit të partisë që aderon, Edi Ramës, i cili i tha se nuk e ka bërë detyrën si duhet.
Por çfarë na tregojnë ne, audiencës këto dy raste? Ndërsa nga Ibsen Elezi na vijnë disa problematika të artikuluara brenda PD-së, duke bërë që ta njohim në këtë kënd opozitën për sa kohë kemi vendosur të shpenzojmë kohën tonë, në PS njihemi me shoën e luajtur mes shefit dhe vartëses, faqe botës. Spiropali thotë se njerëzit janë të kënaqur me ta dhe shumë të hapur për të kërkuar ndihmë nga ta, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për çfarë mund të kishin bërë më mirë (nuk sjellin një rast negative p.sh) dhe nga ana tjetër është vetë Rama që duke ia hedhur përgjegjësinë Spiropalit që sipas tij “duhet të kishte punuar më mirë”, i shmanget me lezet asaj që duhet të thoshte për veten.
Punët e brendshme apo punët e jashtme?
Qëllimi i dy mbledhjeve qe i ndryshëm. Ndërsa Rama transmetoi idenë se do të kishte shkarkime ministrash, apo dha mesazhe të koduara për kryebashkiakët socialistë që janë në ankth nëse do t’i rikandidojë apo jo, duke mos dhënë emra sigurisht, në mbledhjen e PD-së u miratua statuti.
Por ajo që u vu re në mbledhjen e demokratëve është se folën kritikë të tjerë si Eduard Selami, Edvin Kulluri, apo edhe gra që nuk folën edhe pse u ishte rezervuar koha si Endira Bushati. Çfarë të përbashkëte kanë? Nëse Spiropali, e kolegët e saj gjatë gjithë kohës shënjestruan opozitën, kritikët e PD-së shënjestruan probleme të brendshme të saj, duke u marrë me punët e brendshme-që në fakt do të duhet të qe thelbi, në çdo rast pse mblidhen strukturat partiake. Megjithatë do të duhet të shohim se sa do reflektohen në PD shqetësimet e demokratëve.
Kritika e Ramës vs autokritika e Bashës
Ndërsa kryeministri i vendit, nga i cili qytetarët presin një qasje më kritike deri më autokritike për punët e deritanishme, u kujdes që të kritikonte fort vartësit e tij, kreu i opozitës zgjodhi të tregonte para demokratëve jo vetëm se duhej rrëzuar Rama por edhe se ai vetë kishte gabuar në vendimet që kishte marrë, duke thënë se u qëndronte përgjegjësive të tij.
Në dy fjalime shumë të gjata, Rama 41 minuta dhe Basha 1 orë e 10 minuta, u vu re se prirja e Ramës qe kritika ndaj të tijëve, ndërsa te Basha pati edhe tendenca të kritikës ndaj vetes.
“Ndryshime në qeveri në shtator nëse duhen bërë, do të shohim cilët ministra, ministre, cilët nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje…Do shohim cilët anëtarë të partisë do të largohen nga kryesia…cilët janë kryetarët e PS që do të ikin… Përpjekjet e bëra prej nesh janë të shumta por rezulatet e këtyre përpjekjeve janë të pamjaftueshme por e vërteta është se ne (vini re përdorimin e ne-së) kemi shumë për të bërë…Ne jemi një forcë e së ardhmes, ata (kupto opozitën) forcë e të shkuarës…”, tha Rama.
Ndërsa Basha u shpreh: “Unë kam bërë gabimet e mia dhe kam pranuar përgjegjësinë time. Nuk dua ta zbeh këtë përgjegjësi…Jam diktuar nga rrethana, vendi dhe koha. Kam pranuar kritikat tuaja, kam gjetur mirëkuptimin dhe kam mbështetjen tuaj. Duke mësuar nga gabimet do ta fuqizojmë partinë sepse është shpresa e vetme.”
Si përfundim kemi pra, 2 qasje të kundërta të promovimit:
- Vetëpromovimi i brendshëm (Skema Spiropali-Rama)
- Promovimi nëpërmjet hapjes ndaj kritikëve (Skema Elezi-Basha)
Por pyetja që shtrohet është a do rezultojë hapja ndaj kritikave rruga më e mirë promovuese?! /Hashtag.al




