Çfarë po ndodh mes SHBA dhe Edi Ramës?
Brenda një harku të shkurtër kohor kryeministri Edi Rama, ka përdorur një retorikë ironike, cinike e madje fyese kundër SHBA dhe veçanërisht ambasadës amerikane në Tiranë.
Pavarësisht se një pjesë e opozitës dhe mediet pranë tyre (Rithemelimi&LSI) e akuzojnë publikisht krye-diplomaten e SHBA në Tiranë se mbron dhe punon për Edi Ramën dhe qeverisjen e tij të korruptuar, duket se së fundmi diçka e fortë ka krisur në marrëdhëniet e tyre.
Kjo është reflektuar, edhe në retorikën e kryeministrit. Menjëherë pas raportit të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, ai u tall duke e quajtur raportin më serioz të shtetit më të fuqishëm në botë, si një “copy paste” e viteve të shkuara. Zëreni se ka thënë: Një paçavure!
Por pas kësaj ai ka siluruar dhe tallur edhe ambasadoren Yuri Kim, duke e etiketuar “Sekretare e Partisë së Punës”. Zëreni se e ka quajtur” Lenka Çuko e SHBA!
Edhe këtë të enjte në parlament Rama e lëshoi gjuhën në nervozizëm e sipër, duke lëshuar një përrua fyerjesh për atë seli që deri më tani konsiderohej si mbrojtja më e fortë për qeverisjen e tij vrima- vrima të zeza.
Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë- zgjodhi fjalinë me të cilën donte të tallej dhe të fyente deputetët e opozitës në sallë. Zëreni se tha: Ambasada amerikane është Babale!
Në fakt pas 8 vitesh mbështetje pragmatiste me sfond gjeopolitik dhe veçanërisht për “hallin” e përmbylljes së Reformës në Drejtësi, në këtë mandat të tretë do të kemi një panoramë tjetër të marrëdhënieve SHBA-Rama.
Dhe kjo ka logjikë. SPAK që kontrollohet prej amerikanëve, nga roja te udhëheqësia, me hetimet e veta po zbulon ditë pas dite se nuk kemi të bëjmë thjesht me ministra, drejtorë, kryebashkiakë e deputetë të korruptuar si raste të veçanta, por me një organizatë hierarkike në shtet.
Gjithashtu mos- distancimi i grupit parlamentar të PS nga deputeti Orlando Rakipi, babain e të cilit (Aqifin) Thesari dhe Departamenti i Shtetit e vulosën si blerës votash dhe sekser me qeverisjen dhe partinë në pushtet, duket se i ka nervozuar shumë.
Sepse Aqif Rakipi nuk ndërhyri në procesin zgjedhor të 25 prillit për opozitën, por për Partinë Socialiste dhe djalin e vetë të cilit Rama i dha shansin e të qenit në listë.
Për hir të së vërtetës kjo krisje e dukshme, SHBA- Rama, nëntokë ka nisur prej kohësh, por hallakatja dhe përçarja në luftëra të brendshme e opozitës, thjesht e ka shtyrë në kohë për të dalë sheshit. Shumëkush mendon se SHBA dhe ambasada ka si problem parësor në Shqipëri Sali Berishën dhe ndjekësit e tij, por kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Ashtu siç kanë aleat qeveritë, po ashtu problem kanë po qeveritë e korruptuara (Sipas raporteve të DASH) dhe me lidhje të dukshme me krimin e organizuar, sidomos kur ai ka veshur kostumin e “biznesmenit të madh dhe investitorit strategjik”.
Në këtë kontekst opozita e çapëlyer, thjesht po shërben si një shans momental për Edi Ramën; një injeksion rikuperimi për të shtyrë në kohë çomangen amerikane dhe të BE-së e cila qëndron në ajër dhe mbi kokën e kësaj shumice recidiviste me korrupsionin, zgjedhjet dhe shndërrimin e vendit në një lavanderi gjigante të pastrimit të parave!/Alfapres.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



