E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Cila ishte pika e kthesës? Ja si nisi goditja e drejtësisë në Shqipëri
Lajme

Cila ishte pika e kthesës? Ja si nisi goditja e drejtësisë në Shqipëri

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka analizuar me tone kritike zhvillimet që, sipas tij, çuan në goditjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke i lidhur ato drejtpërdrejt me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe ngjarjet e mëvonshme politike.

Në një intervistë në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Sula u shpreh se ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 ishin pika e kthesës ku politika filloi të kontrollojë drejtësinë për interesa të saj.

“Rasti i 21 prillit 2008, që lidhet me ndryshimet kushtetuese të asaj kohe, ishte momenti kur filloi shembja e drejtësisë në Shqipëri. Unë nuk e kam votuar atë ndryshim, me ndërgjegje. Që aty u prish ekuilibri i sistemit politik dhe nisi rrëzimi i pavarësisë së institucioneve,” deklaroi ai.

Sula risolli në vëmendje edhe dy nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit, Gërdecin dhe 21 janarin, duke i konsideruar si momente kyçe në përkeqësimin e marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë.

“Pas Gërdecit, ku humbën jetën 27 persona, në vend që shteti të kërkonte drejtësi, u bë marrëveshje politike. Pastaj erdhi 21 janari, ku u vranë katër qytetarë në bulevard. Nuk mund të quash prokurorët ‘kriminelë’ apo ‘lavire bulevardi’. Kjo është klimë që nxit dhunën politike,” tha Sula.

Ai u ndal edhe te reforma në drejtësi, e cila, sipas tij, megjithëse u prezantua si një proces pastrimi, nuk i shpëtoi dot ndikimit politik.

“Reforma në drejtësi u përdor si armë politike. U hoqën nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë që nuk ishin të pëlqyeshëm për mazhorancën, ndërsa mbetën ata që politika i përdor dhe i keqpërdor sipas rastit,” theksoi ai.

Në përfundim, Sula vuri theksin te pasojat e këtij ndërhyrjeje të politikës në sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar situatën aktuale si një krizë besimi dhe funksionimi.

“Nga 2008-a e këtej, Shqipëria ka hyrë në një spirale ku politika sundon mbi drejtësinë. Kjo është arsyeja pse sot kemi një sistem të brishtë dhe të pasigurt për të gjithë,” përfundoi Sula.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.