Cilësia e dobët e karburanteve në Shqipëri/ KLSH kritika të forta: Ministria ka treguar papërgjegjshmëri
Cilësia e ulët e karburanteve në Shqipëri vazhdon të jetë ende problem.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e fundit ka arritur në konkluzionin se janë bërë disa hapa pozitive, megjithatë ka shumë punë përpara.
KLSH vlerëson se për vitet 2015-2017, ka një ecuri më të mirë sesa në periudhat e kaluara, por fokusi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, ka mbetur tek dokumentet dhe jo tek masat konkrete, duke mos e ndihmuar këtë proces, shkruan Monitor.

“Politikat si dhe vendimmarrja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përgjatë periudhës nën auditim Qershor 2015 – Dhjetor 2017, kanë patur efektivitet të ulët, për shkak se, Ministria ka treguar papërgjegjshmëri në zbatimin e detyrave të saj që burojnë prej dokumenteve strategjikë dhe ligjore, gjithë veprimtaria e MIE-s është fokusuar vetëm në plotësimin e kuadrit rregullator, dhe jo në ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete për përmirësimin e këtij sektori në bashkëpunim me ISHTI-n, me sektorin privat si dhe në mungesën e monitorimit të veprimtarisë së Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial” thuhet në dokumentin e KLSH.
Ndër të tjera ky auditim nënvizon se ende sot mbeten pezull disa çështje të rëndësishme për sektorin ku së pari akoma nuk është kryer një studim mbi rezervat e sigurisë së karburanteve nga MIE, përcaktuar sipas Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2013-2020. Së dyti nuk janë ushtruar kontrolle për sasinë e rezervës së sigurisë në rafineritë, impiantet dhe SHA përgjatë periudhës 01.06.2015-31.12.2017.
Së treti një pjesë e akteve nënligjore në zbatim të Ligjit të Naftës kanë dalë me vonesa. Së katërti ka pasur mungesë monitorimi dhe mbikëqyrje nga Ministria ndaj ISHTI-t.
Së fundmi vazhdon të ngelet problematike mos përcaktimi si detyrim ligjor se si duhet të veprohet me karburantin kur ai rezulton jashtë standardit.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se ka progres të moderuar në garantimin e cilësisë së karburanteve për periudhën 01.06.2015 – 31.12.2017, i cili mund të ishte më i lartë nëse Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ishte mjaftueshëm efektive në këtë fushë, si dhe ISHTI nuk do të kishte mangësi në plotësimin e logjistikës së nevojshme për të realizuar aktivitetet e planifikuara”, thuhet në raport.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



