E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ç’më duhet mua çfarë bëj unë?
Flash

Ç’më duhet mua çfarë bëj unë?

Në kërkim të grupeve armiqësore… me lupë  në dorë dhe pushtet absolut

Na ka çuditur ky i gjati këto ditë. Nuk po kuptojmë më: është Kryeministër, President, Hetues Popullor, apo thjesht një aktor që s’e ndërpret kurrë shfaqjen?

Del përditë në televizor si të ishte mysafir i përhershëm në “Opinion”, e na flet me pathos për “grupe armiqësore” që, sipas tij, po kërcënojnë vendin. Grupi i Thethit, grupi i Sazan Beqirit me trarë, grupi i kaçkavallit artizanal, grupi i domateve, e ndoshta edhe grupi i fshatarëve që nuk japin tokën pa leje – të gjithë të listuar si rrezik për stabilitetin kombëtar.

Ndërkohë që flet për këta “armiq” imagjinarë, ai vetë shkel autonominë vendore me çizme. I hedh firmë çdo territori, ndërton dhe shemb sipas qejfit, dhe asnjë kokë nuk lëviz. Përveç ndonjë kryetari që lë tavolinën sapo hyn kameramani. Heshtje totale. Asnjë pushtet lokal nuk flet. Ose nuk kanë gojë, ose u është zënë goja me urdhra nga lart.

Na vjen për të qeshur e për të qarë njëkohësisht, kur kujtojmë se vetëm dy muaj më parë, në Theth, ai fliste për “shembuj të shkëlqyer zhvillimi turistik”. Sot, dërgon IKMT-në me fadroma që shembin shtëpitë dhe ëndrrat e të rinjve që u kthyen nga emigracioni. Nga “shembull” në “shembje” kalon me një status në Facebook. Dhe prapë… askush nuk reagon.

Tani na flet edhe për bujqësinë  me një zell, si të ishte pionier i mbjelljes së patateve në malin e Dajtit. Flet për fermerin me lot në sy, sikur nuk është ai vetë dhe qeveria e tij që e kanë lënë bujqësinë në harresë. Subvencione që nuk mbërrijnë kurrë, çmime që bien në tokë, ferma që mbyllen, të rinj që ikin. Po si ka fytyrë të flasë për bujqësinë?! Apo kujton se kujtesa jonë zgjat sa një story në Instagram?

Dhe si për të mbyllur shfaqjen me një akt tragjikomik, na bën edhe moral për “të patolerueshmen”.

Po Salmonela në kopshtin e Gramshit që helmoi fëmijët? Është e tolerueshme?

Po djegia e mbeturinave në Vlorë që shkrumbojnë mushkëritë e qytetarëve disa herë në vit?

Po katastrofa mjedisore në Elbasan ?

Po vjedhja e fondeve të IPARD-it nga një grusht burokratësh me projekte fantazmë dhe letra false? Ato janë të padukshme për sytë e pushtetit?

Pyetja e vetme që mbetet është: pse nuk reagon kur vjen puna për të ndëshkuar të vetët?

Sepse atëherë do i duhej të shkarkonte veten. Dhe kjo, për të, është absolutisht e patolerueshme.

Por qetësohuni.

Shfaqja vazhdon.

The Show Must Go On!

Edhe kur vendi digjet, edhe kur fëmijët sëmuren, edhe kur fermerët varfërohen, edhe kur turizmi shembet me fadromë.

Sepse ky nuk është thjesht një kryeministër. Është një shfaqje më vete.

Dhe ne, për fat të keq, jemi spektatorë pa biletë… që paguajmë gjithsesi.

Dhe në fund, kur e dëgjon me atë tonin e vet ironik, të përzier me seriozitet shtetëror, nuk të mbetet veçse të të vijë ndër mend ai personazhi i famshëm i groteskut evropian: ushtari i mirë Shvejk.

Ai që, në mes të absurditetit të luftës dhe kaosit institucional, pyeste me pafajësinë më të thellë:

“Ç’më duhet mua çfarë bëj unë?”

Edhe ky i yni, kapur në mes të shembjeve, skandaleve, ndotjes dhe propagandës, duket sikur thotë të njëjtën gjë:

“Ç’më duhet mua çfarë bëj unë? Unë thjesht flas… dhe shfaqja vazhdon.”

Në Shqipërinë e 2025-ës, Shvejk-u nuk është më trill letrar. Ai është real. Ka emër, pushtet dhe transmetim live.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.