Çmimi i kripur, OBP paguan 1.2 euro për çdo “pipë” testi alkooli
Policia Rrugore pritet të intensifikojë kontrollet ndaj drejtuesve të mjeteve që ulen në timon nën efektin e alkoolit, duke paralajmëruar një qasje pa tolerancë ndaj këtij fenomeni. Megjithatë, krahas kësaj fushate, në vëmendje vjen edhe një shpenzim i konsiderueshëm që lidhet me zbatimin e saj.
Sipas të dhënave të publikuara, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një procedurë tenderuese për furnizimin me gojëza plastike njëpërdorimëshe, të cilat përdoren në aparatet e alkooltestit nga Policia Rrugore. Bëhet fjalë për aksesorë të thjeshtë konsumimi, ku drejtuesit e mjeteve fryjnë gjatë testimit, dhe jo për pajisje teknologjike.

Tenderi është zhvilluar në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe parashikon furnizimin për një periudhë trevjeçare, nga viti 2026 deri në vitin 2028. Në total kërkohen 279,039 copë të tilla.
Fondi limit i vendosur për këtë procedurë arrin në 26.9 milionë lekë pa TVSH, që përkthehet në rreth 280 mijë euro. Në përllogaritje të thjeshtë, kostoja për njësi shkon rreth 1.2 euro me TVSH për çdo gojëz.

Kjo është pika që ngre më shumë pikëpyetje. Produkti në fjalë është një element plastik, njëpërdorimësh, që duhet të jetë i paketuar dhe higjienik, i përshtatshëm për përdorim me pajisjet ekzistuese dhe pa rrezik për përdoruesin. Pra, kemi të bëjmë me një artikull bazik, pa kompleksitet teknologjik.
Në tregun e lirë, produkte të ngjashme për aparatet e tipit Drager ofrohen me çmime dukshëm më të ulëta, shpesh rreth gjysmës së kësaj vlere. Ky kontrast bëhet edhe më i ndjeshëm duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një blerje në sasi të madhe, ku zakonisht çmimi për njësi pritet të ulet, jo të rritet.
Aktualisht, procedura ndodhet në fazën e ankimit pranë Komisionit të Prokurimit Publik, për shkak të kundërshtimeve mbi kriteret teknike. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si është përllogaritur kostoja për njësi për një produkt kaq të thjeshtë, ndërkohë që vlera totale e kontratës konsiderohet e lartë në raport me tregun.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



