Ç’po ndodh? Atentati në Rinas, Oficerët zbarkojnë tek OSHEE
Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP, mbeti i plagosur rëndë në atentatin pranë Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Ngjarja po hetohet me intensitet, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë çdo aspekt që mund të ketë ndikuar në lehtësimin e sulmit.
Sipas informacioneve, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) kishte njoftuar një ndërprerje të energjisë në mesnatë, që shkaktoi një “blackout” total në zonat Nikël, Rinas, Larushk, Halilaj dhe rrethinat përreth. Ky ndërprerje, e planifikuar për riparime, duket se ka kufizuar ndjeshëm hetimet pasi në zonë kishte shumë pak kamera sigurie. Vetëm disa biznese private dhe Aeroporti i Rinasit funksiononin me gjeneratorë, ndërsa një prej kamerave të një biznesi u sekuestrua nga policia.
Prokuroria ka nisur hetime të drejtpërdrejta për zyrtarët e OSHEE-së, për të kuptuar arsyet e ndërprerjes në këtë moment të veçantë. Hetimet përfshijnë planin e operimit dhe vendimet për riparimet, për të sqaruar pse u ndërpre energjia në një kohë kaq kritike dhe nëse ka pasur përfshirje të segmenteve shtetërore në ngjarje.
Një pistë tjetër hetimi lidhet me veprimet e policisë ditën e atentatit. Raportohet se për rreth 40 minuta nuk ka pasur patrulla pranë vendngjarjes, ndërsa një patrullë u gjend rreth 2 km larg. Hetuesit po shqyrtojnë edhe mënyrën se si Shaljani, duke shoqëruar Gilmando Danin, u gjend i pambrojtur në momentin e sulmit, si dhe dokumentacionin e tij në AMP, që dyshohet se është bërë me dokumente fiktive.
Ngjarja e Rinasit nuk është e vetme në këtë kontekst. Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në atentatin ndaj Gentian Bejtjas në Fushë-Krujë në vitin 2024, ku OSHEE ndërpreu energjinë për rreth 8–9 orë, duke krijuar një boshllëk të dukshëm në sigurinë e zonës. Hetimet përfshijnë krahasimin e modeleve të ndërprerjeve të energjisë dhe veprimet e policisë, për të zbuluar nëse këto incidente kanë lidhje dhe nëse ka pasur organizim të planifikuar.
Aktualisht, hetimet vazhdojnë për të kuptuar të gjitha rrethanat e atentatit pranë Rinasit dhe për të identifikuar të gjithë përgjegjësit, ndërsa gjendja e Muçi Shaljanit mbetet kritike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



