E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dalin pamjet, ja si nisi zjarri që përcëlloi pallatin te “Arlis”
Lajme

Dalin pamjet, ja si nisi zjarri që përcëlloi pallatin te “Arlis”

Pamjet e publikuara së fundmi hedhin dritë mbi momentet e para të shpërthimit të zjarrit në një pallat pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, një ngjarje që shkaktoi panik dhe dëme të mëdha materiale disa ditë më parë.

Videoja tregon se flakët kanë nisur nga një grumbull kartonash të vendosur pranë fasadës së katit të parë të godinës, në cep të një pike tregtare “Big Market”. Në ato çaste të para, në vendngjarje shihet edhe një qytetar, i cili nuk ndërhyn për të frenuar përhapjen e zjarrit, ndërkohë që flakët janë ende në fazë fillestare.

Brenda pak minutash, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke u përhapur me shpejtësi në strukturën e pallatit. Operacioni për shuarjen e flakëve ka zgjatur mbi gjashtë orë, me angazhimin intensiv të forcave zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të situatës.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk u raportuan persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme, duke prekur dhjetëra apartamente dhe duke e bërë një pjesë të godinës të pabanueshme.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit dhe për të identifikuar përgjegjësit, teksa disa persona janë proceduar penalisht në kuadër të kësaj çështjeje.

Për ngjarjen ka reaguar edhe Edi Rama, i cili gjatë podkastit “Flasim” e cilësoi situatën si një rrezik serioz për jetën e banorëve. Ai vlerësoi reagimin e shpejtë dhe profesional të shërbimeve zjarrfikëse dhe forcave të rendit, duke theksuar se ndërhyrja e tyre shmangu pasoja më të rënda.

Kryeministri bëri me dije se është marrë vendimi që pallati të rindërtohet nga kompania ndërtuese, ndërsa familjet e prekura do të mbështeten përkohësisht me bonus qiraje dhe ndihmë nga bashkia, deri në rikthimin në banesat e tyre.

Në fjalën e tij, Rama kritikoi edhe reagimet publike pas incidentit, duke theksuar se një pjesë e komenteve janë bërë pa bazë profesionale dhe në mënyrë të nxituar, duke krijuar konfuzion në opinionin publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.