Dani Alves dënohet me katër vite e gjysmë burg dhe 150 mijë euro dëmshpërblim
Ish-mbrojtësi brazilian, Dani Alves, ka mësuar dënimin nga Gjykata e Katalunjës, pasi akuzohet për përdhunimin e një vajze të re në një klub nate.
Kështu Dani Alves është dënuar me katër vite e gjysmë burg, teksa prokuroria kishte kërkuar 9 vite.
40-vjeçari, i cili është një prej futbollistëve me më shumë trofe të fituar në karrierë, i ka mohuar gjithmonë akuzat. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 31 dhjetor të vitit 2022, teksa Alves u vu në pranga disa javë më vonë.
Gjykata gjithashtu urdhëroi brazilianin që t’i paguajë viktimës 150 mijë euro dëmshpërblim. “Vendimi u mor pasi u vërtetua që viktima nuk kishte qenë dakord për kryerjen e marrëdhënieve seksuale dhe ka dëshmi që vërtetojnë përdhunimin”, citohet në vendimin e gjykatës.
Avokatët e brazilianit kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



