E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Debate edhe te Ligjet, Alibeaj: Mungesa e sigurisë në mendjen e gjithkujt
Lajme

Debate edhe te Ligjet, Alibeaj: Mungesa e sigurisë në mendjen e gjithkujt

Ngjarja e rëndë në Fier pak ditë më parë u bë objekt diskutimi edhe në Komisionin e Ligjeve, ndonëse në rendin e ditës ishte miratimi i projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, kërkoi reagimin e Kuvendit, pasi shqiptarët sipas tij kanë një gjendje pasigurie.

“Dua të kërkoj reagimin njëzëri të gjithë deputetëve. Kjo çështja e mungesës së sigurisë duket që është prezente në mendjet e gjithkujt. Secili nga ne duhet të reflektojë, pse ka ardhur shoqëria në këtë gjendje kaq të rëndë. Pse nuk kërkojnë ligjet dhe institucionet? Është koha jo vetëm për reflektim njerëzor, por mbi të gjithë për institucional.

Njerëzit janë të frikësuar, rreziku qëndron pas dere për këdo. Njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë nga shteti i tyre, nga Parlamenti se nga qeveria nuk e ka gjetur këtë lloj reagimi për të mos kaluar në heshtje. Është e domosdoshme një reagim, politik dhe më pas institucional, minimalisht që njerëzit të kuptojnë dhe të sigurohen për aq sa është e mundur që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Në mendjet e atyre që çajnë dyert e gjykatave sot në kërkim të drejtësisë së munguar kanë këtë frikë të fshehur. Është e udhës që së paku ky Komision të japë një sinjal të tillë”, tha Alibeaj.

PROJEKTLIGJI

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, duke kërkuar që të mos politizohej ngjarja u shpreh se, shumë shpejt në Komisionin e Ligjeve do të shqyrtohet një projektligj që do të shqyrtojë edhe problematika të tilla. Nisma ligjore është sjell nga shoqëria civile dhe nga deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, por që në Komision mund të zgjerohet.

“Për rastin që flisni sot është vonë se ne kemi qenë të gjithë të pikëlluar. Çdokush e ndjen kontributin dhe nuk është e nevojshme të tregojë dhe të bëjë shfaqje. Puna është se çfarë bëjnë çdo ditë për të parandaluar këto ngjarje. Nuk ka ngushëllim për humbjen e një vogëlushi, kemi që atë ditë që kushdo nga ne është marrë me atë rast. Gjithçka që kemi bërë është e pamjaftueshme dhe do të duhet të bëjmë më shumë. Kemi kryer një sërë nismash dhe në aspektin edukues dhe në aspektin monitorues. Jemi marrë me viktimat shumë herë dhe s’kemi dashur të bëjmë shfaqje. Duhet të bëjmë të gjithë më shumë. Duke filluar që nga monitorimi në zbatimin efektiv të ligjeve, por edhe shoqëria duhet të jetë më e ndjeshme”, tha Bushka.

Por sipas PD-së, problemi nuk qëndron te ligjet, por te moszbatimi i tyre. Deputeti Dashnor Sula tha se në Shqipëri njerëz të dënuar përjetë dalin nga burgu.

“Këtu nuk është problemi se ne nuk kemi ligje. Problemi është zbatimi i ligjeve. Dalim te hetimi. Lë shumë për të dëshiruar. Është e trishtueshme sot që pjesa më e madhe e shoqërisë kërkon rikthimin e dënimit me vdekje. Pse ndodh kjo. Ndodh sepse s’kanë besim te drejtësia. Kriminelët më të mëdhenj marrin dënime të përjetshme dhe 10 apo 15 vite më pas i shohim jashtë qelisë. Këto janë fakte. Ne duhet të ushtrojmë presion tek organet ligjzbatuese që të parandalohen këto situata”, tha Sula.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.