Debatoi me Flamur Nokën, përjashtohet ‘burrnesha’ e PD-së
Anila Aliaj: Kam burrni shumë më shumë se ju!
Mbledhja e degës së PD në Kamëz shkoi deri në pikën e shpërthimit, mes toneve të ngritura, akuzave të ndërsjella dhe një përplasjeje që solli edhe përjashtime.
Në qendër të debatit ishte Anila Aliaj, një nga anëtaret e strukturave të Partisë Demokratike, e cila kërkoi llogari drejtpërdrejt nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, për gjendjen ku ndodhet sot partia dhe mungesën e një fryme të re drejtuese. Përplasja verbale mes tyre ndezi sallën dhe tensioni duket se është mbyllur me pasoja të menjëhershme.
Aliaj ka njoftuar se është përjashtuar nga funksioni i anëtares së kryesisë së degës, një vendim që sipas saj erdhi vetëm pse lajmëroi kolegët për zhvillimet e mbledhjes. Ajo e quan këtë një ndëshkim tipik politik ndaj zërit kritik.
Në reagimin e saj publik, Aliaj thotë se ndonëse është shkarkuar, është “fitimtare”, sepse ka marrë mbështetjen e mijëra qytetarëve që, sipas saj, e shpërblyen për kurajën dhe qëndrimin.
“Fituese pa figurë, pa pushtet, por vetëm me dinjitet, forcë dhe zë. Unë fitova respektin dhe mbështetjen, ju fituat mospërfilljen dhe faqen e zezë,” shkruan ajo.
Ajo nënvizon se në sallë ishte “e vetmja femër mes 70 burrave”, por se kjo nuk e pengoi të fliste hapur, madje ironizon se “ka më shumë burrni se ata”.
“Ta thashë në sallë. Vërtet jam femër, por kam burrni shumë më shumë se ju. I paburrni nuk është ndryshe, vetëm si ju,” përfundon ajo në reagimin e saj të fortë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



