Deklarata Gjiknurit: PS do të fitojë edhe nëse Berisha i shpëton “non gratës”

 

Sekretari Zgjedhor i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka shprehur bindjen se Partia Socialiste do të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, edhe nëse lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shpëton statusit “non grata”.

Në një deklaratë të dhënë në media, Gjiknuri u shpreh se Partia Demokratike po përjeton ditët më të errëta në historinë e saj dhe se dështimet strategjike e kanë dobësuar më tej këtë forcë politike.

“PD është në ditën më të zezë të veten. Partia Demokratike ka bërë gabime strategjike. Nëse le mandatet, ti preve gjymtyrët e tua. Ti shkatërrove strukturat e tua, dorëzove mandatet. Nuk e ka bërë këtë gjë vetëm Lulzim Basha, se asgjë nuk bëhej në PD pa fjalë të Berishës,” deklaroi Gjiknuri.

Ai theksoi se Partia Socialiste ka mposhtur Sali Berishën edhe më parë, pa pasur nevojën e një “non grata” për të siguruar fitore.

Deklaratat e Gjiknurit pasojnë debatet politike mbi fatin e Berishës dhe ndikimin e tij në skenën politike shqiptare, ndërkohë që përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2025 janë në qendër të vëmendjes.

Publikuar nga Publik Media