E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dekomunistizimi i PD dhe sovranizmi i Sali Berishës
Lajme

Dekomunistizimi i PD dhe sovranizmi i Sali Berishës

Sipas përllogaritjeve të INSTAT, janari i këtij viti e ka gjetur popullsinë shqiptare me një moshë mediane rreth 38 vjeç, që do të thotë se kur u shemb komunizmi, 30 vite më parë shumica e shqiptarëve ose nuk kishin lindur ende, ose ishin minorenë.

Megjithatë, tre dekada nga rrëzimi i regjimit politika në Shqipëri flet ende për “dekomunistizimin” e shoqërisë. Një shprehje e urtë popullore thotë “më mirë vonë se kurrë”, por a mund të vlejë kjo shprehje për temën në fjalë?

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT përgjigja anon nga “Jo”-ja. Pse? Shumica e qytetarëve shqiptarë nuk e kanë përjetuar në vetë të parë atë regjim dhe për një pjesë të mirë është një temë e pakuptueshme sot.

Me kartën e antikomunistit Sali Berisha udhëhoqi të gjitha fushatat e Partisë Demokratike, nga 1992 deri në 2013-n dhe ironikisht, tani që Sali Berisha ka marrë flamurin e “antikolonializimit amerikan”, Partia Demokratike ngre kartën e antikomunizmit, megjithëse e nxitur nga dy deklarata të deputetit socialist, Bujar Çela.

Mbase këto dy “filozofi” të politikëbërjes do të përplasen në dy Kuvendet e thirrur më 11 dhe 18 dhjetor. Berisha po valvit kartën e sovranitetit në vendimmarrje dhe premton që t’i rikthejë Partisë Demokratike këtë sovranitet, që sipas tij, me Bashën e ka humbur.

Lulzim Basha nga ana tjetër ka thirrur Kuvend për të mbrojtur vendimin e marrë për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, duke deklaruar se ish-Kryeministri synon që ta vendosë partinë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këto zhvillime duket se përforcojnë se si flamuri i parë, ashtu edhe i dyti ngrihet për efekt të politikës së ditës. Për të parin, pra për flamurin e antikomunizmit dhe nismën e prezantuar nga Enkelejd Alibeaj për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, ndoshta tani është shumë vonë, sepse pas tre dekadave, natyra mund të ketë bërë të veten dhe shoqëria të jetë “natyralisht” e dekomunistizuar.

Shprehja tjetër e urtë popullore thotë se “hekuri rrihet sa është i nxehtë”. Për dekomunistizimin e shoqërisë, ai ishte i nxehtë në mandatin e parë qeverisës së Partisë Demokratike, nga 1992 deri në 1996, kur vendi drejtohej nga Sali Berisha.

Në të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes, në ato vite nisi një proces dekomunistizimi masiv. Dikush vendosi masa më të ashpra, një tjetër më të lehta. Por, hapi i parë që ndërmorën të gjithë ishte hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të agjencive të spiunazhit të komunistëve.

Kështu ndodhi në Gjermaninë Lindore. U hapën dosjet e STASS-it famëkeq dhe u identifikuan të gjithë bashkëpunëtorët e komunizmit, të cilëve iu ndalua në bazë të përmasave të bashkëpunimit dhe përfshirjes në krime ushtrimi i detyrave publike.

Në Shqipëri, ende pas 30 vitesh, pas dhjetra nismave, disa agjencive e komisioneve ende flitet për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit. Nismat në të shkuarën shpesh janë kritikuar brenda dhe jashtë vendit se ndërmerren për përfitime politike të ditës, siç ishte ligji i lustracionit.

Lustracioni është kritikuar gjithmonë si një proces që shpesh është ndërmarrë nga qeveritë postkomuniste për të hequr konkurrencën qafe, për të ndaluar konkurrentët e vet politikë nga garat politike dhe për të shantazhuar punonjësit e drejtësisë.

Shqipëria ka patur një ligj të tillë të miratuar në vitin 1995, i cili u shfuqizua pas ardhjes së socialistëve në pushtet më 1997. Një përpjekje tjetër për ligj lustracioni në vitin 2008 u ndërmor sërish nga Berisha. Në të dyja rastet, duket se synimi i ligjeve qe ruajtja e pushtetit të Berishës dhe jo vendosja e drejtësisë.

Një kabllogramë e ish-ambasadorit John L. Withers, publikuar nga Wikileaks, shpjegonte se si Berisha përdori projektligjin e lustracionit, të cilit ai vetë i referohej si “ligji i dosjeve”, për të shantazhuar prokurorët dhe gjykatësit që po hetonin mbi disa skandale të mëdha të qeverisë së tij.

Tani Berisha e ka tejkaluar veten dhe nga “antikomunisti më i flaktë” është shndërruar në sovranistin më të zjarrtë që ka marrë në dorë flamurin e luftës “kundër forcave të errta të Perëndimit, që s’i duan të mirën as të djathtës shqiptare dhe as Shqipërisë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.