Dekorimi i Visho Ajazi Likës qok e presidentit Meta
Pikërisht ditën e sotme presidenti i Republikës,Ilir Meta, ka dekoruar ish drejtuesin e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Visho Ajazi Lika, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.
Dekreti i këtij akti mban nr. 10676, datën 05/12/2017, kurse ka si motivacion kontributin e tij të veçantë në fushën e sigurisë kombëtare, luftës kundër terrorizmit dhe, në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës. Kështu lexohet në dekretin e publikuar edhe në faqen zyrtare të presidencës:
“Për kontributin e tij të veçantë në fushën e sigurisë kombëtare, luftës kundër terrorizmit dhe, në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës”.
Ky është motivacioni, të cilit nuk po i hyjmë për të vërtetuar nëse e përmbush Visho Lika, me dy nënshtetësi që e minojnë rendë besueshmërinë në sigurinë kombëtare, pasi tjetërkund e kemi objektivin. Pikërisht tek fakti që dekorimi i Vishos më tepër se i meritueshëm është një qok e presidentit Meta, një shpërblim për gjithësa ish shefi i dosjeve sekrete ka adresuar në favor të Ilir Metës, njeriut mbi të cilin rëndojnë jë mal me akuza që e përfshijnë atë në jo pak afera korruptive. Duke filluar që nga videoja e famëshme e të ndjerit Dritan Prifti, ku ai ishte filmuar teksa bënte pazare të turpshmem, video që solli dhe protestat e 21 janarit me katër protestues të vrarë, e deri tek përfshirja në veprimtarinë kriminale të Klement Balilit të njohur si “Eskobari i Ballkanit”.
Në të gjitha skandalet me personazh Ilir Metën, Visho Ajazi Lika ka qenë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, që do të thotë se ka disponuar të gjithë informacionin e përfshirjes paskuintave të Presidentit në detyrë, në atë kohë kryetar i partisë së tij familjare LSI.
Fakti që protagonist i denoncimit të aferave të Metës ka qenë media dhe partitë kundërshtare të LSI-së, tregon se SHISH-i i Visho Ajazit ka qenë inaktiv dhe, më e pakta që ai mund të ketë bërë ka qenë mbajtja në sirtar e informacioneve që e kompromentojnë Ilir Metën, duke e njoftuar për gjithçka ish drejtuesin e Kuvendit të bërë President.
Që dekorimi i Vishos më tepër se i meritueshëm është një qok e Presidentit e tregon edhe fakti që dhënia e urdhërit “Dekorata e artë e shqiponjës” është e drejtë ekskluzive e numrit një të shtetit. Një dekoratë që, sikurse citohet në informacionin zyrtar “Për Dekorimet në Republikën e Shqipërisë”:
“U jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për trimëri në luftën e armatosur dhe për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje. Propozuesi mund të jetë vetë Presidenti i Republikës si dhe të gjitha institucionet e parashikuara në Rregulloren e Procedurave të Dekorimeve, organet e pushtetit vendor, etj.”.
Të interesuar pranë presidencës për të mësuar diçka më shumë rreth dekorimit të Vishos, burime konfidenciale të kabinetit Meta i thanë CityNews se ndërmarrja e një hapi të tillë ka qenë iniciativë e Presidentit.
Që do të thotë se pas dekorimit nuk qëndron asnjë institucion propozues, gjë që do ta kishte bërë më të meritueshëm motivacionin dhe do ta përjashtonte kategorikisht qënien e “Dekoratës së artë të shqiponjës” Visho Ajazi Lika qokë presidenciale. Por një akt i tillë tregon se edhe postin e lartë në krye të shtetit, sikurse dhe të mëparshmit, Ilir Meta, po i trajton si të jetë pronë e tij private.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



