Demokratët dorëzojnë sot padinë në Kushtetuese, për rrëzimin e ligjit!
Ina Zhupa: Nuk i shërben interesit publik
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, foli sot për mediat pak minuta para se të hynte në Gjykatën Kushtetuese për të dorëzuar padinë e firmosur nga 37 deputetë të PD-së që kërkojnë rrëzimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Zhupa tha se ligji për Zonat e Mbrojtura nuk i shërben interesit publik, pasi është në shkelje të Kushtetutës dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.
Ina Zhupa: Ky ligj nuk i shërben interesit publik dhe është në shkelje të kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare. Ligji mbron vetëm interesin e Ramës dhe miqve të tij, si mbrohet interesi publik kur në vend të një prone publike do të bëhet pronë private për oligarkët. Pra mbrojtja do të jetë vetëm në letër, kur në vend të një lagune do të jetë pishina private e një kompleksi vilash, ku në vend të mjedisit të mrekullueshëm do të keni beton dhe vilat e oligarkëve. Ligji nuk i shërben interesin publik. Janë 37 deputetë që kanë firmosur dhe janë bërë pjesë e kësaj padie. Ne do të dorëzojmë sot padinë. Padisë do i bashkohen dhe organizatat e shoqërisë civile.
Si u miratuan ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura me 74 vota, shoqëruar me protesta dhe reagime të forta
Ligji u miratua në muajin shkurt me një seancë të shpejtë dhe të tensionuar prej vetëm 7 minutash, Këto ndryshime lejojnë ndërtimin e strukturave akomoduese në disa prej zonave të mbrojtura për qëllime të zhvillimit të turizmit dhe agroturizmit, gjithnjë me kushtin e ruajtjes së ekuilibrit mjedisor.
Deputetët e opozitës kundërshtuan ashpër ndryshimet, duke i cilësuar si ligj klientelist që favorizon oligarkët pranë qeverisë.
Deputetja Ina Zhupa deklaroi se ligji “heq mbrojtjen e zonave të mbrojtura, duke i hapur ato për investime strategjike”.
Tabaku theksoi se ligji është në shkelje të direktivave të BE-së dhe dëmton angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e mjedisit.
Ndërsa deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e quajti ligjin një shërbim për “babëzinë kriminale të oligarkëve”.
Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mbrojti ndryshimet, duke thënë se ato janë në përputhje me direktivat europiane dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve përmes turizmit dhe agroturizmit.
Pas miratimit të ligjit, delegacioni i BE-së në Tiranë theksoi rëndësinë e konsultimit publik për ligje të tilla dhe garantoi se do të monitorojë nga afër zbatimin e tij. Kryeministri Edi Rama reagoi gjithashtu, duke theksuar përparimin e vendit në mbrojtjen e biodiversitetit dhe sipërfaqen e zonave të mbrojtura, duke deklaruar se Shqipëria është “e para në rajon”.
Seanca u shoqërua nga protesta të aktivistëve të shoqërisë civile jashtë Kuvendit, të cilët kundërshtuan ligjin dhe akuzuan deputetët për shkelje të mbrojtjes së mjedisit. Pas daljes së deputetëve, protestuesit thirrën “Turp!”, ndërsa deputeti Erjon Braçe iu kundërpërgjigj ashpër njërit prej tyre, duke e quajtur “hajdutin e Saliut”.
Sot
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



