Denoncim nga Saranda: I aksidentuari priti 40 minuta ambulancën
spitali 500 metra larg
Një qytetar nga Saranda denoncon vonesën e ambulancës pas një aksidenti të ndodhur gjatë ditës së sotme. Sipas tij, personi i dëmtuar priti më shumë se 30 minuta për ndihmën e urgjencës, ndërsa Spitali i Sarandës ndodhej rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.
Qytetari ka dërguar edhe një video nga vendi ku ndodhi aksidenti, duke ngritur pikëpyetje për reagimin e shërbimit të urgjencës.
“Një njeri është i aksidentuar dhe pret mbi 30 minuta ambulancën, kur spitali është vetëm rreth 500 metra larg. Çfarë duhet të ndodhë që urgjenca të reagojë në kohë?”, shprehet ai.
Denoncuesi kërkon të sqarohet se kur është marrë njoftimi, kur është nisur ambulanca dhe pse, sipas dëshmisë së tij, mbërritja ka zgjatur më shumë se gjysmë ore. Ai ia drejton shqetësimet edhe drejtuesit të spitalit, Arjan Kalçuni, dhe kërkon verifikimin e mënyrës se si funksionon shërbimi i urgjencës.
Denoncimi përfshin edhe pretendime për administrimin e spitalit, tenderët dhe përdorimin e fondeve publike. Këto akuza janë të qytetarit dhe kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse.
Qytetari i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve kompetente të shqyrtojnë rastin, si dhe të kontrollojnë organizimin e urgjencës, ambulancat dhe administrimin e Spitalit të Sarandës.
Për vonesën e pretenduar dhe akuzat e ngritura, pritet një sqarim nga Spitali i Sarandës dhe institucionet përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


