Denoncimi: Ervin Demon e rrahën brenda zyrës, policia nuk e ndihmoi
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar këtë të premte një denoncim të ardhur nga një qytetar përmes komunikimit digjital, ku pretendohet se ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo, është rrahur brenda zyrës së tij gjatë kohës që drejtonte Bashkinë Berat.
Në postimin e tij, Berisha e ka shoqëruar mesazhin me titullin “Rrihet në zyrë ministri. Policia nuk e ndihmon!”, duke iu referuar pretendimeve të qytetarit për një ngjarje të ndodhur disa vite më parë.
Sipas denoncimit, Demo, i cili në atë kohë ishte kryetar i Bashkisë Berat, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik në zyrën e tij me Gramoz Toton, i njohur, sipas denoncuesit, me nofkën “Moku”.
Mesazhi e lidh konfliktin me çështjen e një rruge në zonën e Kalasë së Beratit. Qytetari pretendon se debati kishte të bënte me vendimin për t’ia dhënë punimet për këtë rrugë Baton Haxhiut dhe jo Gramoz Totos.
Një tjetër pretendim i rëndë i ngritur në mesazh lidhet me reagimin e policisë.
Denoncuesi shkruan se, edhe pasi Demo kishte njoftuar vetë policinë për ngjarjen, efektivët nuk kanë shkuar në ndihmë.
“Ministri i Brendshëm Ervin Demo në atë kohë kur u rrah, as policia s’i erdhi në ndihmë pasi e lajmëroi vetë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Berisha.
Qytetari e konsideron ngjarjen si një rast të pazakontë dhe pretendon se bëhet fjalë për herën e parë që një ministër i Brendshëm është dhunuar fizikisht brenda zyrës së tij.
Denoncuesi kërkon anonimitetin
Në fund të mesazhit, qytetari i kërkon Berishës që denoncimi të publikohet në mënyrë anonime, duke shprehur frikën se mund të ketë pasoja në vendin e punës.
“Publikoje doktor dhe anonim të lutem, se këta të heqin nga puna”, shkruan ai.
Pretendimet janë bërë publike nga Sali Berisha dhe vijnë nga një denoncim i një qytetari, ndaj nuk përbëjnë një fakt të konfirmuar zyrtarisht. Deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim publik nga autoritetet për rrethanat e pretenduara, përfshirjen e personave të përmendur apo reagimin e policisë.
Denoncimi rikthen në vëmendje edhe periudhën kur Ervin Demo drejtonte Bashkinë Berat, përpara emërimit të tij në postin e ministrit të Brendshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




