E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Familja nga Korça akuzon Kadastrën për tjetërsim prone
Denoncime

Denoncimi: Familja nga Korça akuzon Kadastrën për tjetërsim prone

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre shqetësime serioze mbi mënyrën e regjistrimit të pronave bujqësore në Korçë, duke vënë në pikëpyetje saktësinë e të dhënave në sistemin e Kadastrës dhe trajtimin e qytetarëve nga institucionet përgjegjëse.

Denoncuesi, Kristo Metko, banor nga Korça, pretendon se familja e tij, e përbërë nga gjashtë anëtarë, ka paguar rregullisht taksat për mbi 35 vite për tokën bujqësore që zotëron, por aktualisht në regjistrat e Kadastrës rezulton e regjistruar vetëm për pesë persona.

Sipas tij, procesi i matjeve topografike dhe regjistrimit të tokës, që u ndërmor për formalizimin e pronave, ka prodhuar një pasaktësi të rëndë që cenon drejtpërdrejt të drejtat e familjes së tij.

“Në jemi 6 veta në familje dhe kemi paguar taksat për aq sa na ka takuar. Nuk kam kërkuar as më shumë, as më pak. Por në Kadastër na kanë nxjerrë për 5 familjarë”, shprehet Metko në dëshminë e tij.

Ai thekson se prej tre dekadash ka marrë dokumente zyrtare, përfshirë certifikata familjare dhe vërtetime për pagesat, që sipas tij provojnë qartë përbërjen familjare dhe sipërfaqen përkatëse të tokës.

Nga materiali audio dhe video i vënë në dispozicion të redaksisë, dëgjohet një debat mes qytetarit dhe përfaqësuesve të administratës, ku ngrihen pikëpyetje mbi mënyrën e përllogaritjes së sipërfaqes së tokës dhe ndarjen e saj sipas numrit të familjarëve.

Në bisedë, Metko këmbëngul se ka paguar “aq sa ka marrë”, duke kundërshtuar çdo pretendim për përfitim të padrejtë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit institucionalë referohen të dhënave të regjistruara, duke lënë të kuptohet për një mospërputhje mes dokumentacionit historik dhe regjistrimit aktual.

Një dokument zyrtar i Bashkisë Korçë, i siguruar nga denoncuesi dhe i datës 30.04.2006, konfirmon se çështja e tij lidhet me shpërndarjen e tokave sipas ligjit 7501 dhe kompetencat e institucioneve përkatëse. Në këtë shkresë, qytetari udhëzohet t’i drejtohet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zgjidhjen e problematikës.

Megjithatë, pas kaq vitesh, problemi mbetet i pazgjidhur.

Ky rast ngre shqetësime më të gjera mbi procesin e regjistrimit të pronave në zonat rurale, ku shpesh mungesa e dokumentacionit të plotë historik, gabimet njerëzore apo përditësimet e pasakta në sistem mund të çojnë në konflikte pronësie dhe padrejtësi për qytetarët.

Publik.al i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të verifikojnë rastin konkret dhe të japin një përgjigje të qartë për qytetarin, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kemi të bëjmë me një rast të izoluar apo një problem më të përhapur në procesin e regjistrimit të tokave bujqësore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.