E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi për djalin e deputetit të PS, ç’po hetohet në 4 komisariate
Lajme

Denoncimi për djalin e deputetit të PS, ç’po hetohet në 4 komisariate

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur një hetim të plotë në lidhje me dëshminë e nënkomisarit Emiljano Nuhu dhe të shtetases së dëmtuar Xhisela Maloku.

Burime nga Ministria e Brendshme thanë se ka nisur një verifikim në 4 komisariatet e përmendura nga ishpunonjësi i Policisë në intervistën e publikuar dy ditë më parë, por edhe pas deklarimeve të vajzës së dëmtuar. Mësohet se oficerët e SHÇBA-së do të verifikojnë të gjithë librat e shërbimit, kamerat e sigurisë dhe do të pyesin punonjësit e Policisë që mund të kenë pritur Xhisela Malokun, siç pretendohet në deklarime.

 

Bëhet fjalë për Komisariatin nr.3 dhe nr.6 në Tiranë, si dhe për Stacionin e Policisë së Fushë-Krujës dhe Komisariatin e Krujës. Burimet thanë se do të verifikohen të gjitha procedurat e ndjekura në lidhje me denoncimet e pretenduara në këto komisariate.

Në mbështetje të këtij hetimi, është vënë në dispozicion edhe një material nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës, ku është drejtuar shtetasja e dëmtuar, me pretendimin se është kanosur në zyrën e një oficeri policie. Pasi të kryhen të gjitha këto verifikime, do të vendoset nëse do të nisë procedim penal ose jo.

nuhu-770x433

HETIMI NGA PROKURORIA

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ditën e sotme në lidhje me dëshminë e ishoficerit të Policisë së Krujës, publikuar dy ditë më parë nga Partia Demokratike, ku flet për kërcënimet që i janë bërë nga djali i deputetit Rrahman Rraja. Organi i akuzës ka administruar në dosje materialin filmik e zanor me dëshminë e oficerit Emiljano Nuhu, ndërsa objekti i hetimit është verifikimi i rrethanave të paraqitura në dëshmi. Prokuroria po kryen veprimet paraprake për të vlerësuar nëse ka elementë të veprës penale në materialin e publikuar.

Ndërkohë, grupi i hetimit pritet të këqyrë regjistrin e hyrje-daljeve të Komisariatit të Policisë së Krujës për të verifikuar saktësinë e deklarimeve të dhëna nga ish-oficeri Emiljano Nuhu në një intervistë për gazetarin Çollaku. Në këtë intervistë, ai ka thënë se është kërcënuar në zyrë me pistoletë edhe nga djali i deputetit Rrahman Rraja, që të mos hetonte më kallëzimin e shtetases Xhisela Maloku.

Në vazhdim të procedurave të hetimit nëse gjenden elementë të veprës penale grupi i hetimit do të kërkojë shpjegime edhe nga protagonistët e përmendur në dëshminë e ish-policit Emiljano Nuhu. Prokuroria do të verifikojë edhe kallëzimet që ka bërë vajza në disa komisariate. Për këtë arsye, grupi i hetimit ka marrë edhe dosjen e Prokurorisë së Durrësit për të parë nëse janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e padisë së bërë nga shtetasja Xhisela Maloku.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.