E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Tana Zone merr mijëra euro pa aplikacion e pa produkt
Denoncime

Denoncimi: Tana Zone merr mijëra euro pa aplikacion e pa produkt

“Startup fantazmë” me grant 46 mijë euro?

Një kompani e kategorizuar në fushën e Transport/Mobility është financuar me rreth 46 mijë euro nga programi Grant2026, por një denoncim ngre pikëpyetje mbi përmbushjen e kritereve të financimit.

Bëhet fjalë për kompaninë Tana Zone (NIPT: M51928025K), e cila sipas denoncimit ka përfituar financim në Fazën 2 të grantit, një fazë që kërkon një produkt të demonstruar dhe prova të ekzistencës së aktivitetit në treg.

Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), kompania është themeluar më 21 korrik 2025, rreth 11 muaj para shpalljes së rezultateve të financimit, me kapital themeltar prej 100 mijë lekësh.

Në statut, shoqëria përcakton se aktiviteti i saj zhvillohet përmes një platforme web-based dhe një aplikacioni celular. Megjithatë, sipas denoncimit, aktualisht nuk rezulton të ekzistojë një aplikacion funksional në Google Play apo App Store, ndërsa nuk evidentohet as një faqe interneti aktive.

Po ashtu, denoncimi ngre pretendimin se kompania nuk ka përdorues të verifikueshëm dhe as të ardhura të dokumentuara nga një produkt aktiv në treg.

Pyetjet mbi kriteret e Fazës 2

Sipas kritereve të kësaj faze të financimit, kompanitë duhet të paraqesin një produkt të zhvilluar dhe prova për aktivitetin apo rritjen e tij në treg.

Por sipas denoncimit, Tana Zone nuk disponon as një produkt të aksesueshëm nga përdoruesit dhe as tregues të matshëm të aktivitetit ekonomik.

Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse kompania ka përmbushur kriteret e kërkuara për përfitimin e grantit.

Lidhja me Foodini

Një tjetër element i përmendur në denoncim lidhet me strukturën e ortakëve të kompanisë.

Sipas informacionit të paraqitur, një nga ortakët e Tana Zone është bashkëthemelues i Foodini, një aplikacion për dërgesa ushqimore që operon prej vitit 2020 me një model të ngjashëm biznesi.

Denoncimi ngre pyetje mbi lidhjen mes dy projekteve dhe nëse eksperienca e mëparshme e themeluesve është përdorur si bazë vlerësimi për financimin e ri.

Deri tani, pretendimet e mësipërme janë pjesë e një denoncimi publik, ndërsa mbetet për t’u sqaruar nga institucionet përgjegjëse procesi i vlerësimit, kriteret e përzgjedhjes dhe mënyra se si është justifikuar përfitimi i grantit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.