Deputeti britanik ‘shuplakë’ Ramës: Nuk marr leksion mbi sovranitetin nga ju
Në një kohë kur prej një muaji qytetarët në Shqipëri vijojnë protestat duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, një reagim i fortë ka ardhur nga deputeti britanik Andrew Rosindell.
Reagimi i tij lidhet edhe me një deklaratë të bërë disa muaj më parë nga kryeministri Rama për Britaninë e Madhe, ku ishte shprehur se “Britania e la Evropën sepse donte më pak anije dhe ka më shumë anije. E la Evropën sepse donte më shumë investime. Ka më pak investime”.
Në një postim në platformën X, deputeti britanik thekson se Rama është i lirë të komentojë për Mbretërinë e Bashkuar, por njëkohësisht edhe ai ka të drejtën të japë opinionin e tij për Shqipërinë.
Rosindell ndalet edhe te vizita e tij në Tiranë vitin e kaluar, ku sipas tij ka zhvilluar takime me të rinj shqiptarë, të cilët i kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi.
Në reagimin e tij, deputeti britanik shprehet:
“Kryeministri Rama është i lirë të komentojë për Britaninë, ashtu siç jam i lirë të komentoj për Shqipërinë. Vitin e kaluar fola me shumë të rinj shqiptarë në Tiranë, të cilët më thanë se donin të largoheshin nga vendi, gjë që do të bëhet edhe më e mundur me hyrjen e Shqipërisë në Shengen. Në vitin 2022, shtetasit shqiptarë ishin grupi më i madh që mbërriti ilegalisht me anije të vogla në Mbretërinë e Bashkuar. Pyetja e vërtetë është pse kaq shumë të rinj shqiptarë ndienin se duhej të largoheshin nga vendi i tyre në radhë të parë. Do të marr leksione mbi sovranitetin nga populli britanik, jo nga një kryeministër i huaj. Brexit kishte të bënte me vetëqeverisjen demokratike dhe ky parim mbetet po aq i rëndësishëm sot sa kurrë më parë”.
Deklarata e Rosindell vjen në një moment të ndjeshëm politik në Shqipëri, ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë dhe debati publik mbetet i ndezur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



