Deputeti në Moskë paralajmëron për embargon e BE ndaj naftës ruse: Do e blejnë sërish nga ne, por…
Europa do të vazhdojë të blejë naftë ruse përmes vendeve të treta edhe pasi vendet e BE-së të vendosin embargon, ka deklaruar një zyrtar rus, shkruan BBC.
Deputeti rus Vladimir Dzhabarov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti se udhëheqësit e Evropës “janë çmendur disi”.
“Ata thonë se nuk do të blejmë naftë nga Rusia. Epo, mos e blini, ne nuk ju detyrojmë. Por do ta blini ende, përmes vendeve të treta. Nafta jonë është e njëjtë, vetëm më e shtrenjtë”, ka deklaruar ai.
Bashkimi Evropian lajmëroi përmes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se do të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit.
Po ashtu ajo njoftoi për rundin e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Ne do të heqim dorë nga furnizimet nga nafta e papërpunuara brenda gjashtë muajsh dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit”, tha von der Leyen para Parlamentit Evropian në Strasburg.
“Kjo do të jetë ndalesë e plotë ndaj importit të naftës ruse, që vjen nga cisternat dhe tubacionet, nafta e papërpunuar dhe ajo e rafinuar”.
“Nuk do të jetë e lehtë. Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por, ne thjesht duhet të punojmë për këtë”, tha von der Leyen, teksa prezantoi propozimin, i cili duhet të miratohet nga të gjitha 27 shtetet që të hyjë në fuqi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



