E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dëshmia e të ,fortit të Dibrës’ për ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lame me tritol në ashensor
Publik News

Dëshmia e të ,fortit të Dibrës’ për ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lame me tritol në ashensor

Bashkë me të humbi jetën edhe sipërmarrësi i Importit të Barnave, Artan Arsi, nga Shkodra.

Sulmi i datës 28 shkurt 2005, që për shumë vite me radhë mbeti pa autor, ishte realizuar falë një telekomandimi tepër profesional në momentin që dy shokët e fëmijërisë gjendeshin në ashensor, në një pallat pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot “Air Albania”.

Pistat e para që u ngritën nga Policia në atë kohë lidheshin me aktivitetet e zgjeruara të Vajdin Lames. Në atë kohë, ekspertët kriminalist thanë se shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm dhe kjo sipas tyre, tregonte se bëhej fjalë për një eksploziv të fortë.

Ngjarja u konsiderua në atë kohë si mjaft e organizuar, madje u dyshua se plani ishte thurur jashtë Shqipërisë e më pas u realizua në Tiranë. Lame në atë kohë ishte një njeri mjaft i rëndësishëm, njihej si një nga biznesmenët më të fuqishëm në tregun e kafesë, restoranteve, lokaleve e medias. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 00:30, në ashensorin e një prej pallateve në zonën pranë stadiumit “Qemal Stafa”.

NGJARJA

Ka qenë ora rreth 00:30 e datës 28 shkurt 2005, kur pallati dhe zona ku banonte biznesmeni Vajdin Lame janë tronditur nga një shpërthim i fuqishëm. Shpërthimi ka ndodhur në ashensorin e pallatit ku banonte Lame dhe sasia e lëndës plasëse ishte vënë në punë në momentin kur ai dhe miku i tij, Artan Arsi, ishin duke zbritur nga banesa që gjendej në katin e pestë të pallatit.

Në atë kohë, burime nga Policia thanë se ashensori ka qenë i rezervuar vetëm për familjen Lame. Shpërthimi pati dëmtuar disa pjesë të pallatit duke arritur objektivin e atentatorëve, që ka qenë eliminimi fizik i presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit, biznesmenit Vajdin Lame.

Ai kishte marrë ashensorin e tij privat për të zbritur dhe së bashku me mikun e tij kanë humbur jetën pas shpërthimit të një sasie eksplozivi që dyshohej të kishte qenë C4, e telekomanduar. Si pasojë kanë mbetur të vdekur në vend të dy, Vajdin Lame dhe Artan Arsi.

POLICIA

Sipas hetimeve të para, Policia sqaroi në atë kohë se ngjarja ishte mjaft e errët për vetë faktin se gjithçka ka qenë e organizuar deri në perfeksion. Burime të rezervuara thanë në atë kohë se skena e përgatitur për atentatin e kalonte çdo lloj kufiri të fantazisë.

Ishte një nga ngjarjet më të rënda e atyre viteve. Mister mbetej sipas Policisë, koha në të cilën ishte vendosur eksplozivi, pasi ashensori përdorej vetëm nga familja e biznesmenit Vajdin Lame. Gjithashtu, Policia bënte të ditur se po hetohej për të identifikuar autorët dhe motivet që çuan në një atentat të tillë.

Pistat e para ishin ato të konkurrencës së Lames në aktivitetet e tij të biznesit. Pak kohë pas ngjarjes, ekspertët arritën të zbardhnin edhe mekanizmin se si kishte ndodhur shpërthimi. Sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë, mendohet se sasia e eksplozivit që kishte shpërthyer kishte qenë 800 gramë, e llojit C4. Lënda e fuqishme plasëse ishte vendosur në tavanin e ashensorit, në rrethana që nuk u sqaruan asnjëherë plotësisht. Ndërsa aktivizimi që solli shpërthimin e fuqishëm, sipas ekspertëve ishte realizuar përmes një telefonate.

DESHMIA E BASHKEPUNETORIT
TE DREJTESISE, LUFTAR REÇI

Luftar Reçi, bashkëpunëtari i drejtësisë ka dëshmuar lidhur me ekzekutimin e Vajdin Lamajt. Sipas Reçit, në shkurt të vitit 2005 Lul Berisha kishte bërë planin me Indrit Taullain dhe të dy bashkë do të hidhnin në erë Vajdin Lamajn në ashensorin e banesës së tij.  Reçit i kishte kërkuar kallëpë tritoli për atentatin e mirëmenduar.

“Kam pasur lidhje shoqërore ne Lul Berishën, Indrit Taullain, Lentin (Plarent Dervishi). Berishën e kam njohur në 1994, ndërsa Plarent Dervishin dhe Indrit Taullain i kam njohur vonë sepse ishte njohje dhe miqësi e ngushtë e Lulëzim Berishës. Kujtoj se ka qenë muaji shkurti vitit 2005, besoj nga mesi i  muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha.

Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë  për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët.

Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje se më kishte treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se J… më kishte përgatitur minat për ngjarjen e Dibrës dhe për këtë arsye më kërkoi një minë për veten e tij.

Për të  përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im që quhet.,.. i cili është vrarë në vitin 2002″,  shton ai në dëshminë e tij.

I akuzuar për vrasje dhe trafik droge dhe prej 11 vitesh në burg, Luftar Reçi është rikthyer në vëmendje për shkak të rolit kyç që ka pasur në hetimet e bujshme të SPAK.

I njohur ndryshe si i “tmerrshmi i Dibrës” ai është personi që me dëshmitë e tij ka bërë që të rihapen dosjet e bujshme të dy vrasjeve të bujshme të ndodhura në vitin 2005, ajo e Klodian Saliut dhe e biznesmenit Vajdin Lamaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.