Dështimi i marrëveshjes me privatin për Teatrin, reagon regjisori Budina: Qeveria e Bashkia s’kanë moral ta bëjnë projektin,
Regjisori Robert Budina dhe pjesëtari i aleancës për mbrojtjen e Teatrit ka reaguar pas lajmit se qeveria dhe Bashkia e Tiranës ka dështuar të lidhë marrëveshje me privatin për ndërtimin e Teatrit të ri dhe është vendosur ndërtimi i tij .
Në një lidhje telefonike me News 24, Budina tha se artistët që kanë dy vjet që kundërshtojnë prishjen e Teatrit do vazhdojnë ta mbrojnë idenë e restaurimit të tij të plotë.
“Ne jemi për restarurimin e plotë do rrimë aty, kjo qeveri e bashki s’ka asnjë moral ta bëjnë këtë. Ne kemi ndenjur dy vjet aty jo për të festuar ndonjë arritje, por për të këmbëngulur në një…kjo është një fitore në kuptimin e tërheqjes, ata s’kanë asnjë moral poltik të bëjnë këtë projekt. Tani po thonë përfaqësia e artistëve nuk ra dakort. Artistët që kanë qenë në komision kanë qenë njerëz teknik. Thelbi i ndryshimit të kësaj sjellje është protesta dy vjecare e disa artistëve e qytetarëve të angazhuar e aktivistëve që e kthyen atë teatër në institucionin shpirtëror më të rëndësishëm të artit e kulturës edhe të protestës. Do jemi zë i fortë deri sa ai teatër të restaurohet, në këto dy vjet është kthyer në simbolin e qëndresës”.
Arsyeja e dështimit të marrëveshjes bëhet publike në një njoftim zyrtar që ka bërë Bashkia e Tiranës:
“Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”.
Më poshtë deklarata e plotë:
Në mbështetje të ligjit nr. 37/2018 dhe vendimit nr. 352, datë 04.04.2019 të Këshillit të Ministrave, pranë Bashkisë së Tiranës u ngrit komisioni për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, në përbërje të të cilit ishte edhe përfaqësia e artistëve.
Komisioni i vlerësimit dhe negocimit nisi punën me hartimin e thirrjes së hapur për palët private të interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese dhe paraqitjen e një oferte financiare për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës urbane. Thirrja e hapur u publikua në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si dhe u dërgua për botim në buletinin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni i vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe nën ekspertizën konsulentit të përzgjedhur për të ndihmuar komisionin, nisi punën me negocimin e ofertës së palës private të interesuar.
Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.
Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik.
Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike.
Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



