DETAJE/250 kg drogë në laboratorin e heroinës/ 5 në kërkim, dyshimet si organizohet trafiku
Një ditë pas gjetjes së laboratorit të heroinës në Bërnoq të Hasit, Policia ka përfunduar edhe peshimin e sasisë së drogës heroinë që u gjet aty, e cila ka një peshë totale prej 250 kg.
Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një rrjet ndërkombëtar prodhimi dhe trafikimi të heroinës. Lënda e parë, e cila vjen prej Afganistanit, dyshohej se hynte fillimisht në Kosovë dhe më pas në Shqipëri ku përpunohej për t’u shitur në vendet e BE-së.
Deri më tani, dyshimet kryesore bien mbi shtetasin Xhevit Shuti, i cili është arrestuar së bashku me djalin e tij të mitur, A. Shuti dhe babanë, Mustaf Shutin. Për Xhevitin ka dyshime se ka një rol kryesor në laboratorin e drogës. Sipas verifikimeve, ai ka një djalë tjetër në Zelandën e Re, roli i të cilit po verifikohet nga ana e autoriteteve. Gjithashtu, hetime janë duke u zhvilluar edhe për rolin e Flamur Çelës, shofer i zjarrfikëses në Shkodër.
Gjithashtu, “Panorama” mëson se në kërkim janë edhe të paktën pesë persona. Laboratori i heroinës u gjet në fshatin që ka më pak se 100 shtëpi, ndërsa banorët janë të habitur për atë që është zbuluar. Me dhjetëra persona janë shoqëruar në Polici për të marrë dëshmi mbi laboratorin, por shumica prej tyre kanë thënë se nuk kishin dijeni dhe nuk kanë parë asgjë të pazakontë. Deri më tani, Policia dyshon se familja Shuti është e lidhur me trafikantë jashtë Shqipërisë dhe siguronte lëndën e parë për përgatitjen e heroinës në laborator.
Gjithashtu, ka dyshime se financuesi i këtij aktiviteti jeton në emigracion dhe se grupi që merrej me këtë lloj aktiviteti është më i gjerë dhe më i shtrirë se kaq. Organet ligjzbatuese janë mjaft të rezervuara për rastin në fjalë, teksa hetimet vazhdojnë ende. Të arrestuarit pritet që të dalin ditën e sotme përpara Gjykatës në Kukës për rivlerësimin e masave të sigurisë. Gjithashtu, pritet edhe që dosja të kalojë nga dita në ditë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Hetimet kanë nisur disa javë më parë dhe laboratori i përpunimit të heroinës është mbajtur në vëzhgim nga Policia ditët e fundit. Familja Shuti është mbajtur në monitorim, por besohet se ata nuk janë të vetëm në këtë aktivitet.
Flet daja i të arrestuarit: Nuk di asgjë, shteti t’i ndihmojë
Në një zonë periferike, rreth 5 km larg Kukësit, në fshatin Bërnoq, Policia e Shtetit ka sekuestruar një sasi rekord opiumi, që pas përpunimit, kthehej në heroinë. Gjithçka ndodhte brenda një kapanoni në oborrin e shtëpisë së familjes së Xhevit Shutit. Të arrestuar përveç kryefamiljarit, babai të tij 76-vjeçar dhe bashkëshortes së tij, Anila Shuti, janë dhe Vehbi Barushi e Flamur Çela.
Një ditë pas operacionit, për të ruajtur kapanonin ku kryhej përpunimi i opiumit qëndron një punonjës policie. Daja i të arrestuarit, Xhevit Shuti, që dyshohet se është dhe organizatori kryesor, shprehet se nuk kishte asnjë informacion për trafikun e drogës. Ai gjendet aty për të vizituar motrën e sëmurë, ndërsa thekson se nuk kishte dijeni për aktivitetin e nipit të tij.
“Nuk di asgjë, t’u japë ndihmë shteti”, thotë ai.
Ndërsa fqinjët dhe banorët e fshatit shprehen se kishin vërejtur lëvizje të çuditshme në banesën e Shutëve, por nuk e kishin menduar kurrë se aty gjendej një laborator i madh heroine.
Ata shprehen se Mustaf Shuti ka qenë i njohur në periudhën e komunizmit, pasi ka punuar si brigadier në atë zonë, ndërsa për djalin e tij tregojnë se vite më parë është arrestuar në Turqi për trafik droge, por nuk e dinin se ai vazhdonte të merrej me këtë aktivitet të paligjshëm. Laboratori ishte vendosur në këtë zonë për shkak të favorizimit gjeografik, pasi opiumi i trafikuar nga Turqia hynte në Shqipëri përmes territorit të Kosovës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



