Detajet e reja, si u eleminua nga “të vetët” Edmond Mëhalla
Dy persona janë vënë në pranga për ekzekutimin e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, mbrëmjen e së dielës në Elbasan. I arrestuari kryesor është ish-ortaku i tij, i dyshuar si autor i vrasjes, ndërsa roja i karburantit “Xhaxhi Oil” akuzohet për veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në Polici vijon të mbahet i shoqëruar edhe Naldi Gjini, i cilësuar si një nga personat që ka lëvizur ditët e fundit me automjetin e përdorur nga atentatorët. Për të nuk është lëshuar ende urdhër-arresti. Ndërkohë, një tjetër bashkëpunëtor i dyshuar është shpallur në kërkim.
Gjini, me origjinë nga Lezha, është parë kohët e fundit duke qarkulluar në Rrugën e Kombit me të njëjtin automjet që më pas u përdor për vrasjen. Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle në banesën e tij. Mjeti që përdorën autorët rezultonte në pronësi të biznesit të viktimës, i cili ofronte makina me qira.
Vrasja ndodhi të dielën mbrëma, në momentin kur Mondi Mëhalla kishte dalë nga zyra brenda karburantit “Xhaxhi Oil”, biznes që ai administronte. Pasi hyri në automjetin e tij “Range Rover”, një person i maskuar zbriti nga një “Audi”, iu afrua dhe e qëlloi tre herë me armë zjarri. Dy plumba e goditën në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas atentatit, dy autorët u larguan me shpejtësi drejt Librazhdit. Atje, në fshatin Mirakë, ata dogjën automjetin e përdorur në krim. Brenda mjetit të braktisur, i cili u gjet i shkrumbuar paraditen e të hënës, hetuesit zbuluan edhe një pistoletë “Beretta”, që dyshohet se u përdor në ekzekutim.
Mëhalla, 43 vjeç, nuk ishte emër i panjohur për organet e rendit. Ai kishte precedentë të mëparshëm për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Jetonte në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ndërsa aktivitetet e tij të biznesit i kishte shtrirë prej kohësh në Elbasan. Përveç karburantit ku u vra, ai kishte hapur një shërbim taksish “El Taxi” dhe më herët ka administruar lokalin e njohur “Hollywood Lounge Bar”, i cili prej vitesh rezulton i pezulluar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



